Mes Kanunit dhe Imagjinatës Gjermane: Kur Karl May shkroi për “Arnautët e Lirë” në Fakultetin Filozofik

29 maj 2026 | 23:32

Në ambientet e Fakultetit Filozofik u zhvillua një ligjëratë e hapur akademike e organizuar nga Departamenti i Antropologjisë, e mbajtur nga studiuesja e njohur italiane, Olimpia Gargano. Ligjërata solli një qasje të pasur ndërdissiplinore mes antropologjisë kulturore, historisë dhe letërsisë krahasuese, duke zgjuar interes të veçantë te të pranishmit.

​Tema qendrore e këtij diskutimi u bazua në veprën e autorit të njohur gjerman Karl May, “Das Land der Skipetaren” (Toka e Shqiptarëve), duke sjellë në vëmendje perceptimin europian të shekullit XIX mbi botën shqiptare përmes syrit të studiueses Gargano, e cila njihet për kërkimet e saj të thukëta mbi imazhin e Shqipërisë në letërsinë botërore. Poashtu studentët patën mundësi ta shohin nga afër origjinalin e këtij libri.
​Përmes analizës antropologjike të fragmenteve të zgjedhura, gjatë ligjëratës u shtjelluan disa nga shtyllat kryesore të identitetit dhe organizimit shoqëror e fisnor të Shqipërisë së Veriut në atë periudhë:
​Kanuni dhe Vetëgjyqësia: U analizua nga pikëpamja antropologjike mënyra se si të huajt e perceptonin ligjin zakonor të Lekë Dukagjinit, i cili funksiononte si sistemi primar rregullator dhe juridik në zonat e thella malore.
​Autonomia e Fiseve: U diskutua statusi i Mirditës (me qendër në Orosh) dhe koncepti i “Arnautëve të lirë”, të cilët refuzonin t’i nënshtroheshin ligjeve të Padishahut (Sulltanit), duke ruajtur një pavarësi të plotë administrative, kulturore dhe sociale.
​Përkthimi i Realieve dhe Mitet Letrare: Një hapësirë e veçantë iu kushtua sfidave të përkthimit të termave kulturorë (si Skipetar, Kiajah, Padishah) dhe mënyrës se si letërsia e jashtme ndërtoi një “ekzotizëm” rreth figurës së shqiptarit.
​Ligjërata ngjalli interes të madh tek studentët duke u përmbyllur me një debat të hapur e dinamik mbi vërtetësinë e burimeve të shkruara, ndërtimin e tregimeve të tjetërsisë (alteritetit) dhe rëndësinë e analizimit të këtyre teksteve me një sy kritik shkencor.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Gjakovë është mbajtur një tubim i Partisë Demokratike të…