Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK çuditet me ZPS-në: Na thatë se gjyqi të nis këtë muaj, tash jeni ende me raporte ekspertësh

21 korrik 2021 | 16:43

Avokatët mbrojtës të ish-krerëve të UÇK-së, të akuzuar në Gjykatën Speciale, janë shprehur të shqetësuar me qasjen e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), lidhur me qëndrimet e tyre se ende nuk ka një datë të përcaktuar se kur pritet të nis gjyqi ndaj tyre.

Sipas tyre, në nëntor të vitit të kaluar, Zyra e Prokurorit të Specializuar, kishte kërkuar që gjyqi të nis këtë muaj, por tashmë asgjë nuk është gati.

“Ne shprehim shqetësimin tonë, për dëshmitarët e ardhshëm shtesë, që do të vijnë. Sa i përket raportit të ekspertëve, duam të shprehim çudinë tonë se ende janë në përgatitje këto raporte të ekspertëve”.

“Në nëntor ZPS-ja na tha se nuk kishte arsye që gjyqi të mos fillonte në këtë muaj, dhe tani na thoni se ende janë në përgatitje tre raporte ekspertësh. Dhe nuk do të jenë gati për afatin e përcaktuar. Ne kërkojmë i nderuar gjykatës, që të përcaktoni një afat të përcaktuar për çfarëdo raporti ekspertësh që do të përdoret në këtë çështje, në mënyrë që mbrojtja të jetë plotësisht në dijeni të provave që do të dorëzohen”, ka thënë avokati i Hashim Thaçit, Luka Misetiq.

Ndërsa avokati i Kadri Veselit, Nicho Kaufman, ka thënë se ZPS-ja është duke i shkelur të gjitha rregullat e përcaktuara, dhe sipas tij materialet e dorëzuara pas datës nuk duhet të pranohen.

“Nuk është kjo një mënyrë e zellshme e kryerjes së punës nga ZPS, kjo është mënyrë nga paniku. Zonja Losson paraqiti faktin se ka dorëzuar shumë dokumente, por s’e ka përmendur faktin që këto i ka dërguar më 30 qershor. Unë them që kjo është një mjegullim i materialeve që e ka karakterizuar ZPS-në në kohë. Ndryshimet e afateve nuk janë të drejta. ZPS duhet ta sqarojë që masat mbrojtëse të propozuara më 3 korrik janë në kundërshtim me rregullat. Ju kërkojmë që t’ua bëni të qartë prokurorisë që nëse ata i shkelin afatet, materialet që i dorëzojnë më vonë nuk do të pranohen. Ata po flasim për kërkesa të ndryshime të masave, çfarë janë këto, sa janë këto kërkesa, kur janë bërë? Kjo mënyrë e paqartë e kërkesave nuk është mënyra e duhur”,  ka thënë Kaufmani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shqipëria do të parakalojë në vendin e 12-të në ceremoninë…