Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së kërkon të di origjinën e materialeve shfajësuese

20 maj 2022 | 18:31

Mbrojtja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka kërkuar që të dijë nëse materialet shfajësuese që po nxjerrë Zyra e Prokurorit të Specializuar e kanë burimin te shërbimet sekrete apo te prokuroritë serbe.

Sot në Dhomat e Specializuara po mbahet seanca e 12-të statusore në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, që akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga ZPS-ja.

Avokati i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, Gregory Kehoe, tha se ZPS-ja ka zyre në Beograd dhe kërkoi nga ky institucion që të tregojë se cilat materiale shfajësuese i ka marrë nga Serbia.

“Të gjitha dokumentet e nxjerra nga serbët duhet të na i japin neve”, kërkoi ai.

ZPS-ja tha se deri më tani ka nxjerrë mbi 5,500 materiale shfajësuese dhe se po bën këtë sa më shpejt që po mundet.

Por, avokatët përmenden disa raste kur materiale që ZPS-ja i ka siguruar më 2015, po nxirren tani për palën e mbrojtjes. Kjo sipas tyre po zvarrit procesin.

Gjatë seancës u përmendën raportimet mediale se senatori amerikan, Dick Marty, ka qenë në qendër të një komploti për vrasje nga shërbimet sekrete serbe, të cilat kanë dashur që fajin t’ia lënë shqiptarëve të Kosovës.

Avokati i Veselit, Ben Emmerson, pretendoi se shërbimet sekrete serbe edhe në Tribunalin e Hagës për ish-Jugosllavinë, kanë ndërhyrë në dëshmi, duke i ndryshuar ato dhe kanë kanosur dëshmitarët.

Avokatët e mbrojtjes thanë se duan të dinë nëse marrja e materilave nga Serbia do të cenojë besueshmërinë e Dhomave të Specializuara.

Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Që nga nëntori i vitit 2020 ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Daut Dauti Në Zvicër shkova në muajin qershor me një…