Mbrojtja e Shalës fillon intervistimin e dëshmitarit të shtatë të prokurorisë

02 qershor 2023 | 11:11

Në Gjykatën Speciale në Hagë, mbrojtja e Pjetër Shalës ka filluar intervistimin e dëshmitarit të shtatë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS). Kundër-pyetjet e mbrojtjes po zhvillohen në seancë të mbyllur për publikun.

Kjo është dita e tretë që dëshmitari i mbrojtur paraqitet në gjykatoren e Speciales.

Pjetër Shala, ndaj të cilit rëndojnë akuza për krime të pretenduara të luftës, po merr pjesë në këtë seancë përmes video-lidhjes nga qendra e paraburgimit.

Në fillim të seancës, kryetarja e trupi gjykues, Mappie Veldt-Foglia, ka dhënë një urdhër gojor përmes të cilit lejohet përdorimi i disa dokumenteve të nxjerra rishtazi si prova nga ana e mbrojtjes. Bëhet fjalë për një fotografi dhe tri harta.

Për dëshmitarin e shtatë të ZPS-së, të mërkurën kanë përfunduar pyetjet nga mbrojtësi viktimave, ndërsa më herët ato të Prokurorisë.

Pjesë ma e madhe e dëshmisë së tij ka qenë e mbyllur për publikun ndërsa trupi gjykues ka deklaruar se pas përfundimit të dëshmisë transkripti do të rishikohet dhe do të bëhet publik.

Ndërsa Pjetër Shala, i cili ndodhet në paraburgim prej marsit të vitit 2021, ka kërkuar që seancat të jenë publike meqë identiteti i dëshmitarëve nuk është duke u bërë me dije.

Pjetër Shala është arrestuar më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe është transferuar në Hagë më 15 prill të atij viti, n bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Gjykata Speciale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
As sporti nuk ka qëndruar inferior për situatën në veriun…