Mbrojtja lëshon katër deklarata të Thaçit të vitit 1999: Jo hakmarrje e urrejtje, serbët të mos kenë frikë nga shqiptarët

04 prill 2023 | 12:32

Mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi, ka lëshuar katër deklarata të tij, bërë në vitin 1999, ku ai bënte thirrje të uleshin tensionet mes serbëve dhe shqiptarëve si dhe fliste për një Kosovë multietnike.

Qershor 1999: “Këto ditë kemi pasur një dukuri jo të mirë, jo të përgjegjshme nga individë apo grupe të caktuara, që janë marrë me thyerje të banesave, keqpërdorimin e simboleve të UÇK-së, thyerjen e monumenteve dhe busteve të serbëve. Është dukuri që na ka penguar dhe na ka shqetësuar. Ankohemi nga veprime të tilla të papërgjegjshme”.

Korrik 1999: “Qyteti juaj ka ditur gjithmonë ta ndajë të mirën, të keqen, atë që nuk përkon me të ardhmen tonë. Sot të mos mendojmë për hakmarrje, urrejtje e për ndasi, është kohë bashkimi dhe këtë rol duhet ta luajmë secili nga ne, pa dallim përcaktimi politik, ideologjie, krahine, feje apo përcaktimi tjetër. Nuk kemi nevojë për qytet etnik, kemi nevojë ti respektojmë të gjitha ata që nuk mendojnë për konfrontim, do ti respektojmë të gjithë ata që meritojnë të respektohen. Nuk do të lejojmë anarki në qytet, asnjë frymë të jotolerancës në Kosovë”.

Korrik 1999: Thaçi viziton zonat serbe, ai sërish kërkonte të bënte thirrje për të dënuar vrasjet që ndodhnin dhe iu bënte thirrje serbëve të ktheheshin në Kosovë. “Është akt kundër demokracisë. Ftoj serbët që janë në Kosovë që të mos largohen nga Kosova, të mos kenë frikë nga shqiptarët. Të afrohen me njëri tjetrin si qytetarë të barabartë të Kosovës”.

2 shtator 1999: Takimi Thaçi – Robin Cook në Londër: “Largimi i një numri të caktuarve të serbëve ka qenë shqetësuese për ne. Jemi të interesuar që në Kosovë të ndërtojmë një shoqëri të barabartë për të gjithë. Ju kemi bërë ftesë dhe presim që ata njerëz të kthehen në Kosovë, ta ndihmojnë paqen dhe demokracinë”. /Periskopi

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Drejtësisë ka organizuar takimin e radhës të Komitetit…