Mbyllen vendvotimet në komunat veriore

19 maj 2019 | 19:45

Në katër komunat veriore të Kosovës, në Mitrovicën e Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, janë mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarët e këtyre komunave.

Vendvotimet janë hapur në orën 7:00, kurse nga ora 19:00 ka filluar mbyllja e tyre, kur edhe ka nisur numërimi i votave.

Nën mbikëqyrjen e Koordinatores Nacionale për zgjedhje, Laura Pula, Prokuroria Themelore e Mitrovicës e udhëhequr nga kryeprokurori Shyqyri Syla, është angazhuar me prokurorë dhe staf mbështetës, për monitorimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të komunave, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitorvica e Veriut.

Deri në përmbyllje të procesit nuk ka pasur asnjë rast që mund të ndikojë në prishjen e procesit të votimit.

Në zgjedhjet për kryetarë të këtyre komunave kanë garuar kandidatët nga Lista Serbe, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të këtyre katër komunave, janë zhvilluar në 44 qendra votimi me 87 vendvotime.

Kryetarët e komunave veriore: Zubin Potok, Zveçan, Mitrovicë e Veriut dhe Leposaviq, më 26 nëntor të vitit të kaluar dhanë dorëheqje, në shenjë pakënaqësie ndaj vendosjes së taksës doganore prej 100 për qind nga Qeveria e Kosovës për importet nga Serbia.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Heroi” i Feronikelit në ndeshjen vendimtare me Prishtinën, Yll Hoxha…