‘Mbyllet’ qeveria amerikane, Senati nuk e kalon buxhetin

21 janar 2018 | 14:29

Në orët e para të ditës së sotme filloi mbyllja e pjesshme e qeverisë amerikane, pasi u bllokua në Senat projektligji për financimin e buxhetit.

Autorizimi për shpenzime qeveritare skadoi në mesnatë, duke filluar kështu automatikisht ndalimin e të gjithave funksioneve jothelbësore qeveritare. Kjo shkaktoi debate të nxehta ndërmjet senatorëve, të cilët po përpiqeshin sërish sot për të diskutuar për mundësinë e një financimi të përkohshëm të buxhetit të qeverisë deri më 8 shkurt.

Megjithatë, të dyja palët treguan sot shenja të pakta për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje. Ligjvënësit amerikanë vazhdojnë të ketë kundërshti për një sërë çështjesh, që nga shpenzimet për mbrojtjen, dhe deri tek emigracioni, pjesë e të cilit është edhe fati i 800 mijë personave pa dokumenta që janë sjellë në Shtetet e Bashkuara fëmijë.

Dhoma e Përfaqësuesve vazhdoi sot punën në sesion të hapur, për të qëndruar në gatishmëri për të votuar, në rast se Senati do të binte dakort për një dokument të ri financimi të përkohshëm buxhetor.

Shtëpia e Bardhë reagoi menjëherë pas dështimit të financimit të qeverisë, duke fajësuar senatorët demokratë për fillimin e mbylljes së qeverisë federale. “Dua të rikthej në vëmendje të kolegëve të mi, deklaratën e sekretares së shtypit të Shtëpisë së Bardhë, ku thuhet qartë se ‘nuk do të negociojmë për statusin e personave të paligjshëm në SHBA, ndërsa demokratët mbajnë peng shtetasit tanë të ligjshëm, me kërkesa të pamatura’. Kjo përfaqëson këndvështrimin e Shtëpisë së Bardhë për situatën. Dhe, ne sapo përjetuam këtu në Senat vendimin cinik të demokratëve për të lënë mënjanë miliona amerikanë, për hir të lojërave të tyre të papërgjegjshme politike”, deklaroi Senatori Mitch McConnell, udhëheqësi i shumicës në Senat.

Udhëheqësi i pakicës, Senatori demokrat Chuck Schumer, akuzoi Presidentin Donald Trump për hedhjen poshtë të një marrëveshjeje që ishte arritur për emigracionin dhe shpenzimet qeveritare, raporton “VoA”. “Sot në mëngjes, Presidenti Trump më ftoi në Shtëpinë e Bardhë për të biseduar për këto çështje dhe unë pranova. Patëm një diskutim të gjatë dhe të konsiderueshëm. Në shkëmbim të pranimit të ruajtjes së programit DACA, unë ofrova të konsideronim edhe çështjen e murit kufitar. Por, as kjo nuk mjaftoi për ta bërë Presidentin që të arrijë një marrëveshje. Shumë demokratë nuk dëshirojnë të flitet për murin. Madje edhe shumë republikanë. Por, ishim të gatshëm të arrinim një kompromis me Presidentin”, tha Senatori demokrat Chuck Schumer, udhëheqës i pakicës në Senat.

Demokratët kërkojnë një votim të menjëhershëm në Kongres për një paketë reformimi të emigracionit, e cila do të mbronte nga deportimi qindra mijëra emigrantë pa dokumenta, të sjellë në SHBA kur ishin fëmijë.

Republikanët theksojnë se sidoqoftë, ata nuk do të përballen me rrezikun e deportimit deri në muajin mars, kur skadon programi DACA.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Amazon”,  ka përditësuar kopertinën e librit biografik për Presidentin e…