
Më 1 maj nuk mund të shkoni me vetura në Gërmi përveçse me trafik urban
Nesër (e enjte) më 1 maj qytetarët nuk do të mund të shkojnë në Gërmi me vetura meqë Komuna e Prishtinës ka vendosur që të ndalojë ato për shkak të “rendit dhe mbarëvajtjes” për Ditën e Punëtorëve.
Atje do të mund të shkojnë përmes trafikut urban, ndërsa ka përjashtime për disa kategori.
Sipas njoftimit, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe mbarëvajtjes së aktiviteteve me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve – 1 Maji, është lëshuar urdhëresë nga kryetari i kryeqytetit, përmes së cilës:
Ndalohen të gjitha automjetet private në drejtim të parkut “Gërmia”, përveç:
Autobusëve të linjës 4 të NPL “Trafiku Urban”,
Automjeteve të Policisë, KFOR-it dhe EULEX-it,
Automjeteve të emergjencës, KRM “Pastrimi”, NPL “Gjelbër”,
Inspektorëve komunalë dhe autoriteteve të lejuara,
Qytetarët do të mund të udhëtojnë deri te pishinat në “Gërmi” ekskluzivisht me autobusët e Trafikut Urban – Linja 4.