UShAF akuzon tre anëtarë të KD-së për mbledhje pa kuorum

14 shtator 2026 | 08:47

Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) ka kundërshtuar mbledhjen e pretenduar të Këshillit Drejtues, të zhvilluar më 11 shtator nga tre anëtarë, duke e cilësuar atë si veprim në kundërshtim me Statutin dhe rregulloret e universitetit.

UShAF ka bërë të ditur se mbledhja është zhvilluar nga kryesuesi i Këshillit Drejtues, Ramadan Beqiri, zëvendëskryesuesi Ilmi Reçica dhe anëtari Alban Maliqi.

Sipas universitetit, Këshilli Drejtues përbëhet nga shtatë anëtarë, ndërsa Statuti përcakton se për zhvillimin e mbledhjeve nevojitet kuorumi prej katër anëtarësh.

“Tre anëtarë nuk e përmbushin këtë kusht”, thuhet në reagimin e UShAF-it, i cili e konteston ligjshmërinë e çdo vendimi që mund të jetë marrë në këtë mbledhje.

Universiteti pretendon se është shkelur edhe procedura për përcaktimin e rendit të ditës. Sipas nenit 19 të Statutit dhe Rregullores së Punës së Këshillit Drejtues, rendi i ditës propozohet nga kryesuesi në pajtim me rektorin.

UShAF ka theksuar se kjo procedurë nuk është respektuar dhe se në kohën kur është thirrur dhe zhvilluar mbledhja, rektori Prof. Dr. Agron Bajraktari ndodhej jashtë Kosovës për një konferencë ndërkombëtare.

Menaxhmenti i universitetit e konsideron rastin më shumë sesa një mosmarrëveshje procedurale, duke ngritur shqetësime për respektimin e autonomisë universitare dhe kompetencave të organeve të universitetit.

“Tre anëtarë nuk janë shtatë. Tre anëtarë nuk krijojnë kuorum. Një mbledhje pa kuorum nuk mund të trajtohet si mbledhje e rregullt e Këshillit Drejtues”, thuhet në reagim.

UShAF ka bërë të ditur se do t’u drejtohet organeve kompetente për të vlerësuar ligjshmërinë e thirrjes së mbledhjes, ekzistimin e kuorumit, kompetencat e personave të përfshirë dhe vlefshmërinë e çdo akti apo vendimi të nxjerrë në atë mbledhje.

Universiteti ka njoftuar se më 14 shtator do të ndërmarrë hapa juridikë pranë gjykatës kompetente, me kërkesën për mbrojtjen e autonomisë institucionale dhe shqyrtimin gjyqësor të veprimeve të ndërmarra.

Në reagim është ngritur edhe një çështje lidhur me dokumentacionin e protokolluar në Universitet, ku Ilmi Reçica, sipas UShAF-it, është paraqitur si “sekretar”, ndonëse në strukturën e Këshillit Drejtues mban pozitën e zëvendëskryesuesit.

UShAF ka kërkuar që kjo çështje të sqarohet dhe verifikohet institucionalisht.

Universiteti ka ngritur gjithashtu shqetësime për rolin e anëtarëve të Këshillit Drejtues të emëruar nga Ministria e Arsimit, duke theksuar se emërimi i tyre nuk nënkupton të drejtën për të vepruar jashtë Statutit dhe akteve të universitetit.

“Universiteti nuk është institucion që mund të drejtohet përmes urdhrave politikë. Këshilli Drejtues nuk është mekanizëm për ndërhyrje politike”, thuhet në reagim.

UShAF ka paralajmëruar se çdo veprim që, sipas tij, cenon funksionimin e ligjshëm të universitetit do të dokumentohet dhe kundërshtohet përmes rrugëve institucionale dhe juridike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Viti i ri shkollor 2026–2027 ka nisur në të gjithë…