Më 14 janar nis greva nëse nuk realizohen kërkesat e SBAShK-ut

28 dhjetor 2018 | 16:06

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, të Shkencës dhe të Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj, ka bërë me dije se greva njëorëshe e së enjtes është alarmi i fundit për institucionet e Kosovës për realizimin e kërkesave të punëtorëve në sistemin arsimor.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se gjysmëvjetori i dytë i vitit shkollor mund të fillojë me grevë të përgjithshme dhe me kohë të pacaktuar nëse nuk realizohen kërkesat e SBAShK-ut.

Jasharaj ka treguar se për SBAShK-un është i papranueshëm trajtimi që i është bërë arsimit në Projektligjin për pagat. Sipas tij, mësimdhënësit janë duke kërkuar vendin meritor në këtë projektligj

“Epoka e re”: Z. Jasharaj, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, e Shkencës dhe e Kulturës (SBAShK) ka paralajmëruar se më 14 janar 2019 do të fillojë greva e përgjithshme në sistemin arsimor. Cilat janë arsyet që ju kanë shtyrë të merrni këtë vendim?
Jasharaj: SBAShK-u në vazhdimësi ka kundërshtuar Projektligjin për paga të cilin e ka konsideruar diskriminim për tërë sistemin arsimor. Jemi munduar që këtë çështje ta rregullojmë me dialog dhe për këtë kemi pasur takime me kryeministrin Haradinaj, me ministrin Bytyqi dhe ministrin Jagxhillar, por as ky dialog nuk i ka dhënë rezultatet e pritura. Më 8 shtator patëm menduar të protestojmë në sheshin “Skënderbeu” me kryetarët e shoqatave sindikale të shkollave dhe të universiteteve, mirëpo patëm marrë premtimin nga kryeministri se sa i përket sistemit arsimor në Komisionin Parlamentar për Administratë do të bëhet një korrigjim i koeficientëve në mënyrë që mësimdhënësit e Kosovës të kenë pozitë meritore në këtë ligj e jo të degradohen. Po ashtu, para dy jave kemi pasur takim me ministrin Bytyqi, ku jemi zotuar se do ta formojmë një komision i cili do ta paraqesë versionin e SBAShK-ut dhe të MAShT-it që është i përafërt në përpjekje për t’i ndryshuar koeficientët për mësimdhënësit dhe të punësuarit e tjerë në sistemin arsimor. Mirëpo, në ditët e fundit kishe lëvizje të përshpejtuara që Projektligjin e pagave të pakorrigjuar ta dërgojnë në Kuvend dhe ta votojnë në të njëjtën ditë me buxhetin e vitit 2019. Prandaj të enjten në tërë sistemin arsimor, në çerdhe, në arsimin fillor e të mesëm, por edhe në njësitë akademike të universiteteve të Kosovës është mbajtur greva njëorëshe, së cilës i janë përgjigjur mbi 99 për qind e institucioneve arsimore. Nëse greva e së enjtes që ishte paralajmërimi i fundit nuk ndikon dhe nuk kuptohet drejt nga institucionet e Kosovës, pra nuk korrigjohet Projektligji për pagat, atëherë më 14 janar kur do të duhej të fillonte gjysmëvjetori i dytë, nuk do ta fillojmë me mësim, por me grevë të përgjithshme dhe në kohë të pacaktuar.

“Epoka e re”: Mendoni se është i mjaftueshëm ky afat?
Jasharaj: I kemi dhënë afat mjaft të madh dialogut dhe kemi bërë përpjekje të shumta, madje nuk kemi lënë derë pa trokitur. Kemi biseduar me deputetët, me koordinatorin nacional për reforma shtetërore, i kemi dërguar letër Komisionit për Administratë tek i cili është aktualisht projektligji dhe kemi kërkuar që në punimet e këtij komisioni të ftohet SBAShK-u dhe MAShT-i sepse kemi argumente të cilat dëshmojnë se sistemi arsimor po degradohet edhe me paga. Nuk ka kuptim që shoferët e udhëheqësve të kenë pagë më të lartë se profesorët tanë të cilët kanë ngritje akademike. Projektligji për paga nuk ka bërë nivelizim të pagave, por ka bërë një thellim të diferencave në mes të pagave. Nuk po flas për pagat e drejtueseve të shtetit, deputetëve e ministrave sepse edhe më herët kanë qenë më paga më të larta se të gjithë të tjerët, por edhe brenda sektorëve ka dallime. Bie fjala, një psikolog i klinikës dhe një psikolog në shkollë, të cilët kanë titull të njëjtë, sipas këtij projektligji, psikologu i klinikës do të ketë pagë mbi 800 euro, kurse psikologu i shkollës mbi 400 euro. Sipas versionit aktual të Projektligjit për paga, më i nënçmuari dhe dëmtuari është sistemi arsimor. Më ulët se ne nuk ka mbetur askush përveç profesionet për të cilat kërkohet arsimimi i mesëm dhe fillor.

“Epoka e re”: SBAShK-u në asnjë formë nuk do të pajtohet me koeficientët që janë paraparë në këtë projektligj?
Jasharaj: SBAShK-u nuk po pajtohet me të gjithë këto dallime brenda institucioneve publike. Nuk po kërkojmë as më shumë e as më pak sesa një vend meritor. Të tjerët duhet t’i kthejnë sytë kah arsimi dhe mësimdhënësit sepse ata ua mësojnë fëmijët udhëheqësve politike, mjekëve, policëve dhe të tjerëve. Me mësues të çmotivuar nuk mund të priten angazhime që ata të tregojnë rezultate edhe më të mëdha në të ardhmen.

“Epoka e re”: Vitet e fundit ka rënë shumë cilësia në arsim. Ka ndikuar në këtë drejtim trajtimi që u është bërë mësimdhënësve sa iu përket pagave?
Jasharaj: Jo, mësimdhënësit e Kosovës janë dëshmuar edhe në kohë shumë më të vështira se nuk e kanë primare pagën, por as nuk pranojnë të jenë të degraduar karshi të tjerëve. Nëse nuk do të kishte mundësi që të lëvizin koeficientët për askënd, as mësimdhënësit dhe punëtorët e tjerë nuk do të reagonin. Cilësia është e tillë sepse shteti, edhe pse thotë se e ka prioritet arsimin, nuk ndan buxhet të mjaftueshëm që shkollat të furnizohen me mjete bashkëkohore të punës. Mësimdhënësit në garën për cilësinë më të lartë shpesh i kemi lënë vetëm duke mos u krijuar kushte optimale të punës sepse ka kaluar koha kur arritjet mund të jenë të larta duke punuar me shkumës, shpuzë dhe tabelë, madje tabelat në disa shkolla nuk janë ndërruar me vite të tëra. Shteti duhet të ndajë buxhet më shumë për t’iu krijuar kushte më të mira dhe t’i mbështesë mësimdhënësit në mënyrë që të gjithë së bashku të angazhohemi për arritje më të larta. Mësuesi ka mbetur shpesh vetëm në këto përpjekje, prandaj e ka vështirë të krijojë arritje më të larta edhe pse ata janë të devotshëm dhe bëjnë përpjekje për këtë. Pa u krijuar kushte nuk mund të arrihet shumë. Po ashtu, kurrikula është e re dhe është tepër e vështirë për t’u realizuar.  Përmbajtja e teksteve ka mbetur e vjetër, ndërsa kurrikula është e re dhe nuk korrespondon teksti shkollor me kërkesat e kurrikules. Ka edhe çështje të tjera dhe nuk dua t’i mbroj mësimdhënësit, por ata duhet të ndihmohen duke u krijuar kushte optimale.

“Epoka e re”: Kryetar, kjo greva e paralajmëruar për 14 janar a do të mund të ndikojë negativisht në sistemin arsimor dhe a mendoni se nuk ka hapësirë për ndonjë kompromis?
Jasharaj:  Mendojmë se ende ka kohë për negociata sepse vetë fakti që ne e realizuam grevën njëorëshe është alarmi i fundit dhe deri më 14 janar institucionet kanë kohë për të reflektuar në mënyrë që të ulemi së bashku dhe të gjejmë një zgjidhje të pranueshme. SBAShK-u nuk po kërkon diçka që nuk mund të realizohet, por kafshata që ndahet duhet të jetë e barabartë për të gjithë. Pra, nuk është në rregull që disa sektorëve t’u plotësohen të gjitha kërkesat, ndërsa arsimit  të mos i plotësohet asnjë kërkesë. Po kërkojmë barazi dhe vend meritor në ligjin e pagave. Mësuesi duhet të ketë tretman në shoqëri, pastaj të kërkohet nga ai punë dhe rezultate. Nëse institucionet nuk reagojnë, nuk kemi zgjidhje tjetër. Jemi të vetëdijshëm se greva e përgjithshme në kohë të pacaktuar do ta destabilizojë procesin mësimor, mirëpo për këtë përgjegjësinë e kanë institucionet sepse ne kemi bërë të pamundurën për ta arritur zgjidhjen e çështjeve me dialog. Kërkesat e SBAShK-ut duhet të realizohen sepse janë të ligjshme. Edhe kryeministri Haradinaj edhe ministri Bytyqi publikisht e kanë thënë se koeficientët aktualë nuk janë në rregull dhe se arsimi nuk e meriton pozitën që e ka në Projektligjin për paga, por e meriton një vend meritor.

Shqipe HETEMI

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Anthony Joshua mund të ndeshet me disa kundërshtarë të ndryshëm…