Më 15 shtator mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së nis paraqitjen e provave

19 gusht 2025 | 11:57

Më 15 shtator, mbrojtja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) do të nisë paraqitjen e provave për rastin e saj, ka njoftuar trupi gjykues gjatë konferencës statusore që është mbajtur në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Të pranishëm në sallë plenare kanë qenë Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, ndërkaq Jakup Krasniqi seancën e ka përcjellë përmes video-lidhjes.

Në nisje të konferencës, trupi gjykues ka kërkuar nga mbrojtja e Thaçit dhe Krasniqit që të japë afate kohore se kur do të nxjerrë deklaratat për dëshmitarët.

Mbrojtja e Thaçit ka thënë se nga 11 dëshmitarë, për pesë prej tyre ende nuk ka nxjerrë përmbledhje e deklaratave. Avokati i Thaçit, Lluka Misetiq, ka thënë se autorizim po presim për një dëshmitar nga Mbretëria e Bashkuar, ndërsa katër të tjerë janë nga ShBA-ja.

Mbrojtja ka thënë se dëshmitarët nga ShBA-ja janë figura të larta dhe të rëndësishme, por nuk ka zbuluar identetitet e tyre.

Qeveria e ShBA-së, ka thënë mbrojtja, është duke punuar që të japë autorizimet e duhura për këta dëshmitarë, pasi sipas mbrojtjes, ata do të paraqesin informacione shfajësuese.

Prokuroria e Specializuar ka thënë se do t’i duhet një muaj kohë nga koha kur mbrojtja të nxjerrë këto deklarata të dëshmitarëve, deri në paraqitjen e tyre në gjykatë. Por, mbrojtja ka thënë se nuk është e obliguar që t’i nxjerrë përmbledhjet e tyre.

Mbrojtja e Hashim Thaçit ka njoftuar se do t’i duhen 35.5 orë për dhënien e dëshmisë së dëshmitarëve që do të thërrasë në rast.

Gjykatësi ka pyetur mbrojtjen nëse të 11-12 dëshmitarët që mbrojtja e Thaçit ka planifikuar të ftojë do të japin dëshminë para gjykatës, dhe avokatët konfirmuan se po.

Ndërkaq, mbrojtja e Jakup Krasniqit ka njoftuar se planifikon që dy dëshmitarë do të japin dëshminë në gjykatore, ndërkaq dy të tjerë do të japin dëshminë me shkrim dhe kjo dëshmi veçse u është dorëzuar prokurorëve.

Sipas kësaj përllogaritje, gjykatësi tha se do të duhen 35 ditë punë – pesë orë në ditë dëshmi – për përfundimin e dëshmitarëve, duke parashikuar se dëshmia e tyre mund të përfundojë në dhjetor.

I pyetur nëse të gjithë dëshmitarët do të japin dëshmi në seancë të hapura, Mishetiq ka thënë se ky është synimi.

“Nuk mund ta themi 100 për qind – mund të ketë segmente që do të jenë në seancë private – por synimi ynë është që përgjithësisht seanca të jetë publike”, ka thënë ai.

Mbrojtja e Thaçit ka thënë se për katër dëshmitarë që po pret autorizimet, janë në bllokun e fundit të dëshmitarëve, që mbrojtja ka planifikuar të ftojë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dy skuadrat me traditë në basketbollin e Kosovës, Peja dhe…