“Me pagesë” ose “pa pagesë”, të gjithë ata që pretendojnë se në Kosovë nuk ka pasur shqiptarë përpara pushtimit nga Perandoria Osmane janë argatë të Serbisë

30 janar 2024 | 10:36

INTERVISTË EKSKLUZIVE me Bardhyl Mahmutin: Si u hoq cilësimi i UÇK-së si “organizatë terroriste”? (24)

Politologu Bardhyl Mahmuti, ish-përfaqësues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në intervistën ekskluzive dhënë “Epokës së re”, në vazhdimin e pjesës së njëzet e katër, ka folur lidhur me mohimin e pranisë së shqiptarëve në Kosovë përpara pushtimit nga Perandoria Osmane. Ai ka theksuar se ata që pretendojnë se në Kosovë nuk ka pasur shqiptarë përpara pushtimit nga Perandoria Osmane janë argatë të Serbisë. “Ofensiva e gjithanshme për të mohuar çdo gjë shqiptare dhe për t’i paraqitur shqiptarët si krijesë e Perandorisë Osmane, që paraqet rrezik për Evropën, u bë në funksion të alarmimit të opinionit të vendeve perëndimore se gjoja ‘shteti i pavarur i Kosovës do të ishte tempull i krimit të organizuar në zemër të Evropës që do të shndërrohen në një bazë për islamizimin e kontinentit’!!!”, ka theksuar Bardhyl Mahmuti.

“Epoka e re”: Në disa shkrime që keni bërë lidhur me mohimin e pranisë së shqiptarëve në Kosovë përpara pushtimit nga Perandoria Osmane ju i keni cilësuar si “argatë të Serbisë” të gjithë ata që rreshtoheshin rreth kësaj teze. A mendoni se janë njerëz të paguar për këtë punë, sepse “argatllëku” paguhet?
Bardhyl Mahmuti: Të gjithë ata që përsërisin tezat serbe për t’i paraqitur shqiptarët pa histori të tyre, apo që mohojnë prejardhjen shqiptare të Gjergj Kastriotit, Gonxhe Bojaxhiut dhe personaliteteve të tjera të shquara të kombit tonë, me vetëdije, apo pa vetëdije, bëjnë punë në interes të strategjisë serbe. Në kuadër të kësaj kategorie hyjnë të gjithë ata “teologë”, “historianë” dhe “publicistë” të fushave të ndryshme që me “zbulimet e tyre” përforcojnë pretendimet serbe. Nuk e di nëse janë të paguar apo jo, mirëpo “me pagesë” ose “pa pagesë”, pa përjashtuar asnjë, të gjithë ata që pretendojnë se në Kosovë nuk ka pasur shqiptarë përpara pushtimit nga Perandoria Osmane, janë argatë të Serbisë dhe të qarqeve antishqiptare!

“Epoka e re”: Si e shihni faktin se kur flasin për atë periudhë historike, disa teologë dhe osmanologë hedhin poshtë termin pushtim?
Bardhyl Mahmuti: Është e njëjta frymë që synon shtrembërimin e realitetit historik dhe, për qëllime që nuk kanë asgjë të përbashkët me shkencën, pohojnë se gjoja Perandoria Otomane nuk ka pasur ambicie pushtimin e tokave të huaja, por përhapjen e fesë islame! Madje shkohet deri aty sa të pohohet se gjoja “shqiptarët e kanë pritur ardhjen e Perandorisë Otomane siç e kemi pritur ardhjen e NATO-s në vitin 1999”!

“Epoka e re”: Përveç teologëve dhe osmanologëve, në shkrimet e juaja përmendi edhe njerëz të fushave të tjera që u përfshinë në përhapjen e tezave të lartpërmendura… Për çfarë profilesh intelektuale bëhet fjalë?
Bardhyl Mahmuti: Po filloj me rastin e personit që mban emrin Kapllan, mbiemri i të cilit varej nga kontekstet ku ndodhej.
Përpara se të bënte “hulumtime të shumta shkencore” që e prunë te përfundimi se “origjina e tij ishte serbe”, ky alamet “shkencëtari” paraqitej si “Kapllan Kallushi”, si “Kapllan Resuli” ose si “Kapllan Resulbegović”. Mirëpo pas “zbulimit” se ishte “serb i islamizuar dhe shqiptarizuar”, ai vendosi ta ndërronte mbiemrin dhe të quhet Kapllan Burović.
Përveç origjinës së vet serbe, “dr. Kapllan Burović”, që ia ka vënë vetes edhe titullin “Akademik”, pa qenë anëtar i asnjë akademie shkencore, “zbulon” se gjoja “në shekullin e dhjetë shqiptarët kanë ardhur nga Karpatet në Fushën e Matit mbi Tiranë. Prej aty janë shpërndarë në të gjitha anët e Shqipërisë së sotme, e cila në atë kohë ishte e banuar kryesisht nga serbët. Pas pushtimit turk, këta shqiptarë kaluan edhe kufijtë e Shqipërisë së sotme dhe u futën në Serbi, Maqedoni dhe Mal të Zi”! Në vijim të shpalosjes së “rezultateve shkencore”, ai përsërit sajesat serbe kinse: “deri në shekullin XVI kufijtë e Serbisë kishin qenë deri te brigjet e lumit Drin, që sot është në Shqipëri, ndërsa përpara kësaj kohe Serbia ka qenë e shtrirë deri në Durrës, të cilin stërgjyshërit e serbëve ua kishin marrë bizantinëve në vitin 548, në atë kohë kur në Shqipëri dhe në Ballkan nuk ka pasur asnjë shpirt të gjallë shqiptar. Shqiptarët në atë kohë ishin në Rumani në malet Karpate dhe Beskidi”!

“Epoka e re”: Përveç shkrimeve të kësaj natyre, Kapllan Burović ishte tejet aktiv edhe në mediet serbe, malazeze, madje dhe ruse! A i merr kush seriozisht këta njerëz që ndërrojnë sistematikisht jo vetëm pikëpamjet politike, por edhe origjinën etnike?
Bardhyl Mahmuti: Në rrafshin e propagandës që synon përpunimin e opinionit të brendshëm në Serbi, mohimi i historisë dhe i kulturës shqipe ka për synim ta mbajë gjallë shpresën për kthimin e Kosovës nën Serbi. Këtë e synim e bën të qartë edhe vetë titulli i publicitetit që u jepet pikëpamjeve të “tij” (“Kosmet će se vratiti pod okrilje Srbije” – Kosova dhe Dukagjini do të kthehen në sqetullën e Serbisë). Ndërsa në rrafshin e skenës politike ndërkombëtare, në vitin 2007, serbët përkthyen në gjuhën angleze “zbulimet” e Kapllan Burović-it dhe i shpërndanë falas në qarqe të ndryshme intelektuale.
Që manipulimi të jetë më i madh, në faqen e parë të librit që mban titullin “Kaplan Burovic – Who are Albanians? (“Kush janë shqiptarët?”), pretendohet se gjoja Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka deklaruar se gjoja “çdo fjalë e akademik Burović-it lidhur me origjinën e shqiptarëve është e ditur që moti nga ne, përpara se ai ta merrte vesh këtë gjë. Por nuk është koha për ta pohuar një gjë të tillë tani. Më parë duhet ta bashkojmë Kosovën me Shqipërinë, e pastaj do ta pranojmë edhe ne vetë”!!!
Në përputhje të plotë me vijën propagandistike serbe, në një intervistë për “Sputnjikun” rus, Kapllan Burović deklaron: “shqiptarët nuk janë ilirë, ata nuk janë autoktonë, por të ardhur në Ballkan.. As Gjergj Kastrioti-Skënderbeu e as Naim Frashëri nuk janë shqiptarë. Skënderbeu është serb, ndërsa Naim Frashëri, vllah”!

“Epoka e re”: Propagandë e tmerrshme!
Bardhyl Mahmuti: Pikërisht për këtë arsye, kryepeshkopi i Cetinjës dhe Mitropoliti i Malit të Zi, Amfilohije Radović, e dekoroi me portretin e artë të Shën Pjetrit Kapllan Burović-in “Për besnikëri dhe vetëmohim për të vërtetën dhe drejtësinë e Perëndisë” që kishte dëshmuar në shkrimet dhe intervistat e tij.

“Epoka e re”: Fatkeqësisht, Kapllan Burović nuk është i vetmi “intelektual” që është futur në shërbim të përhapjes së të pavërtetave lidhur me historinë dhe kulturën tonë.
Bardhyl Mahmuti: I të njëjtit kallëp është edhe personi që për opinionin publik paraqitet me tri forma të mbiemrit të vet: “dr. Olsi Jazexhi/Olsi Yazeji/ Олси Јахеџи”. Pas deklaratave të tij se “parajsa jugosllave është shkatërruar për shkak të komplotit të perëndimorëve, që janë kundër myslimanëve dhe kundër serbëve” dhe se “shteti i Kosovës është koloni e NATO-s, ku myslimanët dhe serbët janë të diskriminuar”, “dr. Olsi” me tre mbiemra u ftua në emisionin më antishqiptar në Maqedoni: “Vo Center” (Në qendër).
Gjatë kësaj interviste, “dr. Olsi” përsëriti sajesat e propagandës serbe se gjoja “para ardhjes së turqve në Ballkan, shumica e popullatës në Kosovë dhe në Maqedoni ka qenë serbe ortodokse. Gjithashtu, edhe në Shqipëri, ku edhe sot mund të gjeni shumë toponime sllave. Por, me ardhjen e turqve dhe islamit në Ballkan, kemi proces të islamizmit dhe shqiptarizimit. Skënderbeu nuk ka asnjë lidhje gjenetike dhe religjioze me shqiptarët, ai është i sajuar. Skënderbeun e kanë sajuar austriakët dhe i kanë mësuar shqiptarët që ta pranojnë. Edhe sot ata mendojnë se Skënderbeu është hero i tyre, por ai nuk është i shqiptarëve. Në kohën kur Skënderbeu ka luftuar kundër osmanlinjve, shqiptarët nuk kanë ekzistuar. Skënderbeu ka qenë luftëtar serbo-bullgar”.
Shkenca dhe “dr. Olsi Jazexhi/Olsi Yazeji/ Олси Јахеџи” janë dy nocione që përjashtojnë njëri-tjetrin! Nuk do të më habiste aspak që ky “Doktor shkence” të shpallet si “Akademik”, në të njëjtën mënyrë si dr. Kapllan Kallushi, Kapllan Resuli, Kapllan Resulbegoviqi, Kapllan Burović. Madje, për shërbimet e mëdha që u bën serbëve dhe maqedonasve, nuk do të duhet të habitet askush nëse, në një të ardhme të afërt, “dr. Olsi” të dekorohet nga Kisha Ortodokse serbe me ndonjë dekoratë “me portretin e artë të Sveti Savës”! Mbetet të shihet nëse “dr. Olsi” do t’i shtojë edhe ndonjë mbiemër tjetër emrit të vet dhe të deklarojë, sikurse “dr. Kapllani”, se “nga hulumtimet e mëdha shkencore që ka bërë, ka zbuluar se ka origjine serbe”!
Si përfundim, ata historianë dhe ata teologë me origjinë shqiptare që propagandojnë se gjoja “Skënderbeu nuk është Hero Kombëtar shqiptar”, se gjoja “humanistja shqiptare me përmasa botërore, Nënë Tereza, është grua e pamoralshme, që ndërron burrat kur të dëshirojë dhe se vendin e ka në xhehenem”, se gjoja “në vitin 1445 vetëm 1 % e qytetarëve në Kosovë ishin shqiptarë, ndërsa turqit sollën shqiptarët në Kosovë dhe u dhanë toka atyre”, ata nuk sjellin asgjë të re në “tregun” shqiptar, pos produkteve serbe dhe maqedonase, të ambalazhuara pa datë dhe vend prodhimi. Po e përsëris: çdo historian, çdo teolog dhe çdo person tjetër që përhap këto sajesa, i bën një shërbim të madh strategjisë antishqiptare serbe dhe maqedonase!

“Epoka e re”: Nëse nuk kemi njësi matëse për t’i ditur efektet e kësaj propagande në skenën politike ndërkombëtare, a mund të kemi ndonjë konstatim të përafërt rreth ndikimeve që kanë mundur të kenë në opinionin publik shqiptar?
Bardhyl Mahmuti: Ofensiva e gjithanshme për të mohuar çdo gjë shqiptare dhe për t’i paraqitur shqiptarët si krijesë e Perandorisë Osmane që paraqet rrezik për Evropën, u bë në funksion të alarmimit të opinionit të vendeve perëndimore se gjoja “shteti i pavarur i Kosovës do të ishte tempull i krimit të organizuar në zemër të Evropës që do të shndërrohej në një bazë për islamizimin e kontinentit”!!! Imazhet e nxënësve shqiptarë që falen mbi bankat shkollore apo në trotuare dhe në rrugë shoqërohen me të dhëna ku janë pjesëtarë të përkatësisë etnike shqiptare janë të përfshirë në akte terroriste me konotacion fetar.
Shembulli i Arid Ukës, 21 vjeç nga Kosova, i cili kreu një sulm terrorist kundër ushtarëve amerikanë në Aeroportin e Frankfurtit, në Gjermani, me ç’rast u vranë dy ushtarakë amerikanë dhe u plagosën dy të tjerë, pushtoi mediet e shteteve demokratike e veçanërisht ato amerikane. Mashtrohen të gjithë ata që mendojnë se nuk kanë pasur ndikimin e tyre negativ aktet e tilla apo të atyre që iu bashkuan të ashtuquajturit Shtet Islamik!
Të gjitha veprimet e tilla kanë dëmtuar imazhin e shqiptarit dhe çuar ujë në mullirin e armiqve që vazhdimisht bluajnë millin për sajesat antishqiptare.

(Muhamet Mavraj / Të dashur lexues! Periudha nga shpallja e pavarësisë së Kosovës e deri te krijimi i së ashtuquajturës Gjykatë Speciale do të përfshihet në variantin e botimit si libër!)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një aksident trafiku ka ndodhur në fshatin Bresje të Fushë…