Me shqiptarë kemi ndërtuar vende dhe mbretëri të huaja, tani do ta zhvillojmë edhe Shqipërinë

03 maj 2021 | 20:41

“Mabco Constructions”, pjesë e “Mabetex Group”-it, do ta ndërtojë Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, në të cilin projekt do të investohen mbi 100 milionë euro. Gazeta “Epoka e re” ka zhvilluar një intervistë me nënshkruesin e kësaj kontrate, presidentin e “Mabco Constructions”, pjesë e “Mabetex Group”-it, Emin Pacolli, i cili ka theksuar se ky është një ndër projektet me të mëdha të kompanisë së tyre në trojet shqiptare. Ai ka thënë se Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës do të bëhet aeroporti më i bukur në aspektin e dizajnit, funksionalizimit dhe teknologjisë. Sipas Pacollit, ky aeroport do të ofrojë shërbime më efikase dhe më strategjike. Ai ka thënë se Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës do të jetë qendër e gravitacionit të turizmit në Shqipëri

Faton DËRMAKU

Në Tiranë, më 20 prill 2021, është nënshkruar marrëveshja nga kompania e njohur “Mabco” dhe Qeveria e Shqipërisë për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës. Në emër të kompanisë fituese “Mabco” kontratën e ka nënshkruar presidenti i saj, Emin Pacolli, vëllai i ish-presidentit të Kosovës, biznesmenit dhe pronarit të “Mabetex Group”, Behgjet Pacolli, ndërsa në emër të Qeverisë së Shqipërisë kontratën e ka nënshkruar ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Kontrata ka një vlerë mbi 100 milionë euro dhe përfundimi i punëve pritet të bëhet brenda afatit trevjeçar. Gazeta “Epoka e re” ka zhvilluar një intervistë me nënshkruesin e kësaj kontrate, presidentin e “Mabco Constructions”, Emin Pacolli, i cili ka theksuar se ky është një ndër projektet më të mëdha të kompanisë së tyre në trojet shqiptare.

No description available.

Ai ka thënë se Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës do të bëhet aeroporti më i bukur në aspektin e dizajnit, funksionalizimit dhe teknologjisë. Sipas Pacollit, ky aeroport do të ofrojë shërbime më efikase dhe më strategjike.

Ai ka pohuar se Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës do të jetë qendër e gravitacionit të turizmit në Shqipëri. Po ashtu, ai ka thënë se synojnë të lënë gjurmë të cilat do të trashëgohen nga gjeneratat e ardhshme dhe t’i sjellin përfitimet e tyre si në aspektin e punësimit, zhvillimit, turizmit etj… për shumë kohë shtetit shqiptar.

Emin Pacolli ka theksuar se është ndier i privilegjuar që ka pasur mundësinë të jetë nënshkrues i kësaj kontrate historike e cila është ndër më të rëndësishmet për kompaninë e tyre. Ai është shumë mirënjohës ndaj kryeministrit Edi Rama dhe popullit shqiptar që i besuan kompanisë së tyre ndërtimin e Aeroportit të Vlorës.

“Epoka e re”: Z. Pacolli, ju në emër të “Mabcos”, pjesë e “Mabetex Group”-it, keni nënshkruar marrëveshjen “Mabco” me konsorciumin – Qeveria e Shqipërisë për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës. Çfarë ndjenje ishte ta nënshkruani këtë kontratë të madhe me shtetin shqiptar, në Vlorën ku u ngrit flamuri kombëtar?
Emin Pacolli: Sigurisht, simbolika që përdorët ju është e saktë, sepse pikërisht para satisfaksionit biznesor qëndrojnë emocionet për mundësinë për të kontribuar në shtetin amë, në këtë rast duke hapur vende të punës, rritur sektorin e turizmit dhe ekonominë në përgjithësi. Gjithnjë me shqiptarë kemi zhvilluar vende të huaja, tani kemi kënaqësinë që shqiptarët ta zhvillojnë Shqipërinë. Andaj gjatë nënshkrimit të kontratës ndjenjat ishin më të mira dhe të veçanta të mundshme.

No description available.

“Epoka e re”: A është kjo kontrata më e madhe e juaja në trojet shqiptare apo edhe në shtetet ballkanike?
Emin Pacolli: “Grupi Mabetex” në krye me z. Behgjet Pacolli vazhdimisht ka investuar në trojet shqiptare, me investime të ndryshme që kanë punësuar shumë shqiptarë dhe kontribuar në zhvillimin e vendit por, nëse flasim në terma të vlerës së investimit, mund të themi se po, ky projekt është ndër më të mëdhenjtë në trojet shqiptare.

“Epoka e re”: Cili është interesi i shtetit shqiptar dhe i juaji si kompani rreth ndërtimit të këtij aeroporti?
Emin Pacolli: Interesi i të dyja palëve është ndërtimi i aeroportit më të bukur në aspektin e dizajnit, më funksionali dhe teknologjik për t’i ofruar shërbimet më efikase, më strategjike për ta bërë këtë aeroport ‘qendër të gravitacionit’ të turizmit në Shqipëri. Synojmë të lëmë një gjurmë e cila do të trashëgohet nga gjeneratat e ardhshme dhe t’i sjellë përfitime si në aspektin e punësimit, zhvillimit, turizmit etj… për shumë kohë.

No description available.

“Epoka e re”: Në Vlorë do të punojnë vetëm punëtorët tuaj të “Mabetex”-it apo do të merrni edhe punëtorë nga Vlora e Shqipëria? Sa punëtorë do të punësohen në këtë projekt?
Emin Pacolli: Numri i punëtorëve do të jetë i konsiderueshëm, ndërsa ne si kompani kemi pasur si synim që prioritet t’u japim punëtorëve dhe bashkëpunëtorëve shqiptarë, gjë që ka ndodhur në projektet tona anembanë botës, andaj nuk shoh përse të mos angazhohen shqiptarët, vendasit në projektin në Vlorë.

“Epoka e re”: Për sa kohë do të jetë gati Aeroporti i Vlorës? A do ta respektoni kontratën kohore apo do t’ia dilni ashtu siç keni bërë edhe në vendet e tjera që ta përfundoni punën para afatit të caktuar?
Emin Pacolli: Qëllimi ynë kryesor është cilësia dhe assesi nuk e sakrifikojmë atë në përfitim të faktorit kohor. Deri më sot kemi pasur privilegjin dhe kënaqësinë të kemi një ekip të jashtëzakonshëm që ka bërë që të garantohet cilësia superiore dhe jo vetëm që të respektohen por, siç pohuat, të kryhen para kohës. Andaj, në synojmë që brenda afatit të paraparë, tre vjet, ta përfundojmë projektin më cilësor në rajon pastaj, nëse paraqitet mundësia, ta përfundojmë para afatit, pse jo.

“Epoka e re”: Z. Pacolli, a keni në plan ju si “Mabetex Group” të aplikoni në projekte të mëdha të shpallura nga qeveria shqiptare e që janë në interes kombëtar?
Emin Pacolli: Sigurisht, kudo që mendojmë dhe vlerësojmë se mund të jemi zgjidhja më e mirë nga ofertuesit, nuk ka arsye të mos marrim pjesë.

No description available.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani me rastin e Ditës botërore…