Me Thaçin dhe çlirimtarët është çdo atdhetar që veproi për çlirimin e Kosovës

18 nëntor 2020 | 10:57

Shkruan: Ramiz Lladrovci – 

Ushtria Çlirimtare e Kosovës, me të drejtë, në historinë e popullit shqiptar, dëshmoi se ka pararendëse për nga nami dhe frytet e luftës, vetëm ushtrinë e Skënderbeut.

Andaj, është shumë herët që historia ta vlerësojë në tërë thellësinë dhe gjerësinë e saj këtë ushtri çlirimtare, por, gjithsesi, ishte, është dhe mbetet ushtri që shkroi dhe vulosi historinë e një pjese të kombit, të një shteti të ri, Republikën e Kosovës.

Fillimet e UÇK-së, janë të njohura për të gjithë neve që ishim në qelizat e para të krijimit të UÇK-së, ndërsa veneruesit gjakftohtë dhe ekspertët me dije për shkencat ushtarake, ende mund të habiten që një superfuqi të armëve konvencionale si Serbia, të pësojë humbje katastrofale nga UÇK-ja.

Ne duhet t’i përgjigjemi pyetjes së thjeshtë, çka na solli fitoren?

Edhe ushtria e Lidhjes së Prizrenit ishte në të drejtën e saj dhe popullin që përfaqësonte, edhe ushtria që ishte pranë Shpalljes së Pavarësisë në Vlorë, ishte e njohur forca e Hasan Prishtinës, Idriz Seferit, Bajram Currit, Isë Boletinit, Azem Bejtës, Mehmet Gradicës dhe Shaban Polluzhës.

Është fakt i ditur se asnjëra nga këto ushtri, nuk arriti as ta çlironte, as ta mbronte Kosovën, as të na linte trashëgim lirinë nga okupatori otoman, Mbretëria Serbe-Kroate e Sllovene dhe Jugosllavia komuniste.

Nga Skënderbeu e këndej, të gjithë ishin në të drejtën historike për liri, por nuk e arritën, përkundër sakrificës, terrorit dhe gjenocidit kundër popullit tonë.

Këtu fillon historia. Lëvizja jonë çlirimtare, me idetë e Adem Demaçit, Metush Krasniqit, Jusuf Gërvallës e Kadri Zekës, Nuhi Berishës dhe Rexhep Malës, Afrim Zhitisë, Fahri Fazliut, Zahir Pajazitit, për t’u trupëzuar në jetën dhe veprën e Komandantit legjendar Adem Jasharit, Hamzës, Fehmiut, Xhevës, Abesë, Luanit, Shkëlzenit, Mujës, Ilazit, Bedriut, Rasimit, Xhavit Hazirit, Hafir Shalës, Ukshin Hotit e qindra heronjve tanë, të cilët kishin marrë rrugën e lirisë, deri në vdekje.

Kjo Ushtri, nuk ishte e frymëzuar nga revolta, sepse ajo ka karakter dhe qëndrueshmëri afatshkurtër. UÇK-ja ishte ndërtuar për luftë deri në çlirimin e vendit. Me kallash në dorë, kundër tankut, aeroplanit dhe pragave serbe, por nuk u thye. Nuk iu dëmtua morali. Sa më shumë bënte krime ushtria e policia serbe ndaj qytetarëve tanë, aq më shumë shtoheshin radhët e UÇK-së.

Pastaj dolën në skenë edhe miqtë tanë, shtetet mike të lirisë dhe demokracisë, miqtë e kombeve të shtypura që luftonin për të drejtat e veta, më në fund erdhi edhe te ndryshimi i opinionit botëror për luftën tonë.

Kjo luftë i pati prijësit e vet. Të gjithë, pa dallim, u rreshtuam prapa Komandantit legjendar Adem Jasharit, duke personifikuar një histori unike në botë, kur me tërë Jasharajt, në kullë baroti, lufton deri në vdekje, me tri gjenerata të familjes.

Pas rënies heroike të Komandantit legjendar, drejtimin e Luftës tonë çlirimtare e mori Drejtoria politike dhe Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së. Këtë e thotë edhe Feha në intervistën e parë si një nga drejtuesit e UÇK-së, për BBC. Kjo ushtri çlirimtare zuri vendin që i takon në agjendën e luftës, në mbrojtjen e civilëve pas masakrave që shpërthyen, ku me mijëra qytetarë u vranë dhe dogjën, u masakruan dhe dhunuan, duke kulmuar me bombardimet e NATO-s.

Këtu dolën në skenë edhe emrat që historia i mori në mbrojtje duke i kurorëzuar dhe vendosur në vendin më meritor, me vlerën më të lartë të asaj përpjekjeje, me arritjen e lirisë së Kosovës dhe shpalljen e Pavarësisë. Nuk duhet harruar se lufta jonë përjetësoi në histori shumë drejtues të luftës çlirimtare, sepse, ata ju prinin ushtarëve, nuk qëndronin në prapavijë. Ndërsa udhëheqësit tanë çlirimtarë që janë gjallë, armiqtë i dënuan, por, nuk i deshti plumbi.

Këtu, Hashim Thaçi, prezanton dhe është personifikim i liderit në kohën e zhbërjes së kombit tonë, emër që shkëlqeu në kohën kur vendi ynë ishte një varrezë e madhe masive e shkaktuar nga okupatori serb.

Sot, padrejtësia më e madhe që i bëhet shtetit dhe kombit tonë, është vlerësimi për një histori të luftës së drejtë çlirimtare, për një ushtri e bazuar mbi vullnetarët por veproi konform ligjeve pozitive të luftës, për një histori suksesi të Republikës së Kosovës dhe NATO-s, për lirinë si vlerën më të madhe të qenies njerëzore.

Hashim Thaçi dhe drejtuesit tjerë të UÇK-së që gjenden në Hagë, kanë qenë dhe janë përfaqësues të tërë përpjekjeve për liri dhe arritjen e lirisë, nga Skënderbeu e këndej, duke e pritur lirinë dhe duke drejtuar si burrështetas, Republikën e Kosovës.

Ky gjyq, do të jetë goditja e fundit që mund ta bëjnë armiqtë tanë shekullor kundër shtetit, kombit dhe lirisë tonë, të drejtës tonë për liri dhe çlirim, të drejtës tonë t’i bashkohemi vlerave euro-atlantike, rrugës tonë të vetme.

Me Thaçin dhe çlirimtarët, është çdo atdhetar i cili me gjenerata, për njëqind vjet u ushqye, kontribuoi dhe veproi për çlirimin dhe shtetin e Kosovës. Të tillë janë shumë.

Por, ishte e pritshme edhe për ndonjë heroizëm apo gjeneral pas luftës. Për fat të mirë, secilit i dihet vendi dhe rroli në rrugën për çlirim. Fjalët sot, nuk i bëjnë më të bukura veprat e djeshme.

Po, kur i filluam aktivitetet për çlirim, numëroheshim me gishta, për të marrë përkrahje nga gjithë bota demokratike dhe sot gëzojmë shtetin, ushtrinë, policinë, gjyqe dhe tërë vlerat e shtetit që ndjejnë mungesën e Presidentit të saj, Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe drejtuesit tjerë të UÇK-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një veturë e llojit BMW, të martën është përplasur në…