Media izraelite: Hamasi më 7 tetor vrau ushtarë me gaz toksik

14 dhjetor 2023 | 08:16

Hamasi ka helmuar me një gaz toksik disa ushtarë të Forcave izarelite të Mbrojtjes më 7 tetor. Lajmin e raportojnë mediat në Izrael të cilat flasin për një hetim mbi natyrën e vdekjes së ushtarëve që shërbenin në bazën Nahal Oz.

Rezultatet e hetimit flasin për vrasje nga një gaz toksik që shkaktoi mbytje dhe humbje të vetëdijes brenda pak minutash nga ekspozimi.

Sipas një raporti të publikuar nga Channel 12, gjetjet kryesore të hetimit treguan se një substancë e ndezshme e papërcaktuar, por toksike u hodh me sa duket në hyrje të ndërtesës ku ndodhej qendra komanduese e ushtarëve të vëzhgimit.

Një nga ushtarët në hyrje të ndërtesës u përpoq të shuante flakët, por nuk ia doli dhe zjarri vazhdoi të përhapet.

“Ata i vunë zjarrin disa materialeve që përmbanin gazra toksikë që mund të shkaktonin mbytje në pak minuta ose edhe më pak se kaq,” citoi Channel 12 një oficer.

Zjarri vijoi të hapej dhe tymi nisi të hynte në qendrën e komandës së ushtarëve të vëzhgimit, ku ndodheshin 22 persona.

Në përpjekje për të shmangur tymin, ushtarët njomën disa peshqirë me ujë për të mbushur boshllëkun poshtë derës, por nuk funksionoi dhe efektet e gazit nisën të ndjeheshin.

Gjatë sulmit të Hamasit në bazën Nahal Oz, 15 ushtarë u vranë dhe gjashtë të tjerë u morën peng.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Paneli i Gjykatës së Apelit dot të bëjë sot shqiptimin…