Mediat serbe: Vuçiqi nuk e firmosi deklaratën e përbashkët në Samitin e Tiranës

06 dhjetor 23:39

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq nuk e ka firmosur deklaratën e përbashkët në të cilën shpalosen qëndrimet përfundimtare të Samitit BE-Ballkani Perëndimor që u mbajt ditën e sotme në Tiranë.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat serbe, sipas së cilave, presidenti Vuçiq, nuk ka rënë dakord me pjesën në të cilën vendosen sanksione ndaj Rusisë për pushtimin e Ukrainës.

Siç raportojnë mediat vendase, Vuçiq u shpreh gjatë konferencës për media, se Serbia nuk do të marrë pjesë në vendosjen e masave kufizuese kundër Rusisë.

“Nuk mund të pajtohem apo të qëndroj pas deklaratës, pasi nuk isha unë ai që e shkrova deklaratën, por duhet ta them se ne nuk ramë dakord për sanksionet kundër Rusisë…Është fakt, dhe disa njerëzve u pëlqen, kurse disa të tjerëve jo. E thashë që sjellja ndaj sanksioneve është aktualisht, sjellja ndaj qytetarëve serbë. Nuk është normale që ne të marrim pjesë në politika të tilla. Ne e kuptuam mirë mesazhin e BE-së, e kuptova edhe gjatë diskutimit”, tha Vuçiq

Megjithatë, delegacioni i BE-së në Tiranë ka deklaruar se në fakt në Samit kishte linjëzim me deklaratën ndërsa shtohet se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë qenë në një linjë.

Po ashtu, theksohet se firmosje të ndonjë deklarate në vetvete nuk ka pasur.

Mediat serbe raportojnë gjithashtu se presidenti serb shtoi se propozimi franko-gjerman do të diskutohet, por nuk mund të thuhet nëse do të pranohet ose jo.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Financave, Hekuran Murati dhe ai i Bujqësisë, Faton…