Mehaj përkujton komandant Abejën në 24-vjetorin e rënies së tij

10 gusht 2022 | 12:41

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka përkujtuar Bekim Berishën, i njohur me nofkën komandant Abeja, në 24-vjetorin e rënies së tij në altarin e lirisë.

Mehaj, me anë të një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”  ka përkujtuar kontributin e komandant Abejës në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), teksa ka përkujtuar edhe angazhimin e tij në tri luftërat kundër armikut.

“Bekim Berisha, ishte luftëtar i shquar në tri lufta, popujt për lirinë e të cilëve luftoi ishin të ndryshëm, por armiku ishte i njëjti. Ai luftoi përkrahë ushtrisë Kroate, pastaj përkrahë ushtrisë Boshnjake dhe në fund përkrahë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë, armiku në të tri luftërat ishte regjimi serb dhe ushtria paramilitare serbe”, ka shkruar Mehaj.

Postimi i plotë i Mehajt:

Sot janë bërë 24 vjet nga rënia në altarin e lirisë të heroit Bekim Berisha – Abeja.

Abeja, është përfaqësimi më i denjë i shqiptarit i cili jetën e tij e vuri në shërbim të drejtësisë dhe lirisë. Ai ishte luftëtari shembull kundër shtypjes, dhunës dhe terrorit që ushtronte regjimi serb.

Bekim Berisha, ishte luftëtar i shquar në tri lufta, popujt për lirinë e të cilëve luftoi ishin të ndryshëm, por armiku ishte i njëjti. Ai luftoi përkrahë ushtrisë Kroate, pastaj përkrahë ushtrisë Boshnjake dhe në fund përkrahë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë, armiku në të tri luftërat ishte regjimi serb dhe ushtria paramilitare serbe.

Strategët e luftës, siç ishte Abeja janë shumë të rrallë, guximi i treguar në fushëbetejë dhe mendjemprehtësia e tij ishin të veçanta. Ai u dekorua me gradën Gjeneral nga ushtria Kroate, për kontributin, përgatitjen dhe virtytet që posedonte.

Në UÇK, Abeja përgatiste ushtarët e rinj, duke iu mësuar artin ushtarak, strategjitë e luftimeve në terren dhe përkujdesej për grumbullimin e armatimit.

Bekim Berisha, ra dëshmor me 10 gusht 1998, së bashku me heronjtë, Bedri Shala, Elton Zherka, Përmet Vula, Bashkim Leku dhe trima të tjerë. Ata për asnjë çast nuk dyshuan në fitoren e UÇK-së dhe lirinë e popullit tonë, ata janë dëshmia më e fortë që populli shqiptar nuk nënshtrohet dhe nuk iu bindet regjimeve.

Liria jonë është vulosur me gjakun e tij dhe të shumë dëshmorëve tjerë, për këtë do të ju jemi mirënjohës dhe do t’i nderojmë brez pas brezi.

Lavdi!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Greqia do të largohet më 20 gusht nga e ashtuquajtura…