Mehmeti: Kreditë jopërformuese në Kosovë, të ulëta

27 mars 2018 | 16:23

Ushtruesi i detyrës së guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, më 26 dhe 27 mars ka marrë pjesë në takimin e guvernatorëve të regjionit dhe udhëheqësve të sektorit financiar, ku është diskutuar për gjendjen e tanishme dhe të ardhmen e sistemit financiar në regjion.

Temë kryesore e tryezës së rrumbullakët të guvernatorëve këtë vit, ka qenë fokusi në sfidat e politikës monetare, ekonomisë të ndërlidhur me normalizimin e politikës monetare dhe zgjidhja e problemit të kredive jopërformuese të akumuluara.

Ushtruesi i detyrës së guvernatorit të BQK-së, Fehmi Mehmeti, në panelin e guvernatorëve ka diskutuar për kreditë jopërformuese dhe cilësinë e mirë të porofolit kreditor në Kosovë.
Në këtë kontekst, ai ka thënë se norma e kredive jopërformuese në Kosovë në vazhdimësi ka qëndruar në nivel shumë të ulët dhe se asnjëherë nga fillimi i funksionimit të sektorit bankar të Kosovës nuk ka arritur në normë dyshifrore, madje as gjatë krizës globale financiare, kur niveli i kredive jopërformuese ishte 8.7 për qind.

Më tutje, Mehmeti ka potencuar edhe faktorët që kanë ndikuar në normën e ulët të kredive jopërformuese në Kosovë, duke përfshirë zhvillimin e sektorit bankar nga fillimi, duke mos trashëguar asgjë nga sektori bankar paraprak.

Sipas tij, kontribut të rëndësishëm ka pasur edhe qasja e Bankës Qendrore, ku në vitin 1999 është adoptuar marka gjermane si valutë zyrtare, e pastaj euro, e cila siç ka thënë Mehmeti ka bërë që në agjendën e tyre të fokusohen në zhvillimin e kapaciteteve me ndikim të drejtpërdrejtë në stabilitetin financiar.

Mehmeti ka thënë se faktor me rëndësi të veçantë është edhe stabiliteti makroekonomik që gëzon ekonomia e Kosovës çdo vit, duke pasur vazhdimisht rritje ekonomike me një mesatare prej 3.5-4 për qind.

Pavarësisht kësaj, ai ka thënë se kjo rritje nuk ka mjaftuar për përmirësim të mjaftueshëm në raport me sfidat kryesore të ekonomisë, por sipas tij, ajo ka siguruar në masë të madhe stabilitet të nevojshëm për sektorin bankar.

Mehmeti ka thënë se faktor tjetër i rëndësishëm për rënie të nivelit të normës së kredive jopërformuese është edhe avancimi i Ligjit për Procedurën Përmbarimore dhe funksionalizimi i përmbaruesve privatë. Fehmi Mehmeti është zgjedhur guvernator i BQK-së, por ende nuk e ka marrë detyrën.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fabio Capello nuk është më trajner i ekipit kinez, Jiangsu…