Mehmeti priti në takim përfaqësuesit e Bankës Botërore

05 shkurt 2020 | 14:51

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka takuar të mërkurën Diego Martinez, zëvendësdrejtor i Bankës Botërore dhe Alper Ahmet Oguz, zyrtar i lartë për Sektorin Financiar përgjegjës për portfolion e Kosovës.

Me këtë rast, guvernatori Mehmeti ka uruar Alper Ahmet Orguz për detyrën e re dhe i siguroi gatishmërinë e Bankës Qendrore për avancimin e projekteve zhvillimore.

“Në këtë takim u diskutuan zhvillimet pozitive të sektorit bankar, sfidat e ardhshme dhe roli i këtij sektori në zhvillimin ekonomik të Kosovës, si dhe projektet aktuale dhe të ardhshme të Bankës Botërore për të mbështetur sektorin financiar”, thuhet në njoftimin e BQK-së.

Guvernatori Mehmeti ka informuar zyrtarët e Bankës Botërore lidhur me stabilitetin e sistemit financiar në vend dhe ka falënderuar Bankën Botërore për përkrahjen e vazhdueshme që ka dhënë për zhvillimin e sektorit financiar dhe zhvillimin ekonomik në përgjithësi.

Po ashtu, guvernatori Mehmeti i njoftoi përfaqësuesit e Bankës Botërore lidhur me përmirësimin e qasjes në financa e cila në masë të madhe është rezultat i ndihmës së Bankës Botërore dhe mbështetjes që ajo i ka dhënë Fondit Kosovar për Garanci Kreditore.

Përfaqësuesit e Bankës Botërore falënderuan guvernatorin Mehmeti për bashkëpunimin dhe shprehen gatishmëri që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në të ardhmen.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ekipi i Lakers vijon të dominojë renditjen në Konferencën e…