Mehmetriza Murtezani – Mehmet Gega, Demaçi i Tetovës

22 dhjetor 2018 | 20:16

Lulëzim Etemaj

-Në 50-vjetorin e demonstratave të vitit 1968 në Tetovë

Pa asnjë kusht duhen pastruar gjermanët dhe hungarezët nga rrethet e Vojvodinës, po ashtu edhe shqiptarët nga Kosova dhe Maqedonia. Luftërat janë më të volitshme për zgjidhjen e këtyre problemeve. Ato si ndonjë stuhi shkulin nga rrënjët dhe shfarosin popuj. Ajo që gjatë periudhave të paqes duhet të zgjidhet me dekada e shekuj, gjatë kohëve të luftërave shtetërore zgjidhet për pak muaj dhe pak vite. Kjo është formula e referatit të kryeideologut të shovinizmit serb Vasa Çubriloviq, me titull “Problemi i pakicave kombëtare në Jugosllavinë e re”, të paraqitur më 3 nëntor 1944, i cili iu dorëzua për zbatim dhe zgjidhje të këtij problemi Kuvendit të Republikës Popullore Federative të Jugosllavisë si dhe Ushtrisë Nacional Çlirimtare të Jugosllavisë. Në fakt, ky referat për nga fryma shoviniste shkon përtej referatit “Shpërngulja e shqiptarëve”, të hartuar po nga Çubriloviqi, të mbajtur më 7 mars të vitin 1937 në Klubin e Kulturës Serbe në Beograd, i cili, në shënjestrën e dëbimit dhe shkatërrimit si të tillë, pra në fokus të gjenocidit i kishte vënë shqiptarët e mbetur jashtë Shqipërisë, në Kosovë dhe në treva të tjera shqiptare, fillimisht si pasojë e vendimit të Konferencës së Ambasadorëve në Londër (1912-1913) e më pastaj edhe të Konferencës së Paqes së Versajës, të organizuar nga katër vendet kryesore fituese të Luftës së Parë Botërore: ShBA-ja, Britania, Franca, Italia, e cila i filloi punimet më 18 janar 1919 dhe zgjati 12 muaj.

Dy vjet më vonë, në vitin 1939, qeveria jugosllave “Arnautëve”, siç i quan Çubriloviq në elaboratin e tij shqiptarët me përbuzje, ua gjen edhe vendin për t’i dëbuar, Turqinë. Sipas marrëveshjes së arritur në mes të këtyre dy shteteve, Jugosllavia për 40.000 familje shqiptare të Kosovës dhe trevave të tjera shqiptare do t’ia paguante Turqisë shumën prej 20 milionë lirave turke.

Rajoni i Malit Sharr (Prizren); Gora (Dragash); Podgora (Suhareka); Nerodimja (Ferizaj); Pollogu i Ulët (Tetovë); Pollogu i Sipërm (Gostivari); Galica (Rostusha); Dibra (Dibër); Struga (Strugë); Graçanica (Prishtinë); Kaçaniku (Kaçanik); Gjilani (Gjilan); Presheva (Preshevë); Prespa (Resnja); Poreçi (Juzhni Brod-Makedonski Brod); Prilepi (Prilep); Manastiri (Manastiri); Kavadarci (Kavadari); Marihova (Manastiri-Marihovë); Negotini (Negotini i Vardarit); Shkupi; Kumanova (Kumanovë); Velesi (Velesi); Ovçe Pole (Ovçe Pole); Radovishtë (Radovishta); Strumica; Dojrani (Valandova); Gjevgjelija (Gjevgjelija); Kriva Pallanka (Kriva Pallanka); Kratova(Kratovë); Carevo Sello (Carevo Sello); Malësi (Berovë); Peja (Pejë); Istogu (Istog); Mitrovica; Gjakovëa; Përdrinia (Rahoveci); Llapi (Podujevë); Vushtriria dhe Drenica , këto janë qytetet, përfshirë edhe vendbanimet e tyre, të banuara me shqiptarë, të ndara në tri banovina, të cilat duhet të spastroheshin etnikisht në funksion të jetësimit të konventës jugosllavo-turke për t’u serbizuar përmes popullimit me kolonë serbë. Sipas një përllogaritjeje të thjeshtë, nisur nga mesatarja e numrit të anëtarëve që në atë kohë mund të kishte një familje shqiptare, e cila shquhej kryesisht për numrin e madh, bëhet fjalë për numrin prej afër 200-300 mijë shqiptarëve që do të duhej të dëboheshin nga trojet e veta stërgjyshore.

Një vit para se Vasa Çubriloviq ta paraqiste referatin e parë, 7 mars 1937, më 26 shkurt 1936, u lind në Prishtinë Adem Demaçi, ndërsa Mehmetriza Murtezani- Mehmet Gega, i lindur më datën 23 nëntor 1921 në Tetovë, tashmë i kishte mbushur 16 vjet dhe mund edhe të mos kishte dëgjuar ende për elaboratin e Çubriloviqit apo të mos kishte informacione më të sakta mbi të, porse në këtë moshë do të ketë pasur njohuri nga përvoja jetësore për shtypjen e egër gjenocidale të Mbretërisë Serbo-Kroate- Sllovene (1918-1941) që po ushtrohej kundër shqiptarëve. Në thellimin e këtyre njohurive dhe në kundërshtimin e fuqishëm dhe të organizuar të dëbimit të shqiptarëve, detyrimit të tyre për t’u deklaruar si turqë dhe ndalimit të shkollimit në gjuhën shqipe, që ua bënte mbretëria sllave, Mehmet Gegës, do t’i ketë shërbyer anëtarësimi i hershëm në organizatën patriotike “Besa”, të themeluar në Tetovë në vitin 1938, kryetar i së cilës ishte emëruar Ibrahim Ibrahimi. Kështu, si Mehmet Gega në Tetovë, ashtu dhe Adem Demaçi në Prishtinë më vonë, në vend të heshtjes, karrierës personale dhe rehatisë, e zgjodhën herët, qenë rininë e hershme, rrugën e kundërshtimit të shtypjes dhe dëbimit të shqiptarëve nga trojet e tyre etnike për në Turqi, kryesisht shkretëtirat e Anadollit.

Përhapja e propagandës midis myslimanëve, se ata kurrsesi nuk mund të jenë turq, por janë vetëm shqiptarë; përhapja e idesë për Shqipërinë etnike dhe lufta për bashkimin e shqiptarëve në Kosovë, Preshevë, Bujanovc dhe Maqedoni si dhe kushtimi i rëndësisë mësimit të gjuhës shqipe, historisë dhe kulturës shqiptare , këto ishin tri nga shtyllat kryesore të programit politik kombëtar të organizatës “Besa”.

Në kohën kur shovinisti Vasa Çubriloviq paraqet referatin e dytë, “Problem i pakicave kombëtare në Jugosllavinë e re”, më 3 nëntor të vitit 1944, Mbretëria SKS ishte zëvendësuar nga Republika Popullore Federative e Jugosllavisë, kurse Mehmet Gega i kishte mbushur 23 vite, ndërsa si pasojë e Luftës së Dytë Botërore, ishte ndërprerë përkohësisht edhe dëbimi i shqiptarëve.

“Marrëveshja xhentelmene” ndërmjet Jugosllavisë së Titos dhe Turqisë, në vitin 1953, ripërtrinë marrëveshjen e vitit 1938, i jep fund ndërprerjes së përkohshme të dëbimit të shqiptarëve dhe e rikonfirmon vullnetin e titullarëve të rinj të Beogradit për ta vazhduar dhe çuar përpara gjenocidin e filluar përmes shtypjes, dëbimit nga trojet e veta të mbetura nën Jugosllavi dhe shkatërrimit të tyre si shqiptarë që ishin. Faktikisht kjo marrëveshje paraqet vetëm aktin final të zyrtarizimit të dëbimit të dhunshëm të shqiptarëve në mënyrë që trojet e tyre të popullëzoheshin edhe më tutje me kolonë serbë dhe malazezë. Sigurisht që as në rastin e parë dhe as në të dytin, krerët e Jugosllavisë, si të parës ashtu dhe të dytës, nuk ishin të marrë që faqe botës të ekspozoheshin si dëbues të shqiptarëve. Prandaj përmes rregullave të emigrimit, do të saktësonin se Konventa përfshinte popullatën turke, e që faktisht fjala ishte për dëbimin e shqiptarëve të konfesionit mysliman. Prandaj, në shërbim të fshehjes së politikave të dhunshme shpopulluese ndaj shqiptarëve, në po të njëjtin vit, pra në vitin 1953, gjatë regjistrimit të popullsisë zyrat e gjendjes civile do të ushtrojnë trysni të fortë mbi shqiptarët për ta ndërruar përkatësinë e tyre kombëtare nga ajo shqiptare në atë turke.

Si rezultat i dhunës dhe terrorit të pashembullt, në periudhën kohore 1951-1959 vetëm nga Maqedonia në Turqi ishin dëbuar gjithsejtë 143.800 banorë mysliman, e që në fakt pjesa dërmuese e tyre ishin shqiptarë.

Adem Demaçi: Mehmet Gega është hero i vërtetë i kombit tonë

Ashtu siç po përpiqej tani Jugosllavia e Titos ta realizonte me çdo mjet politikën gjenocidale të Jugosllavisë së vjetër kundër shqiptarëve, kishin mbetur të pashuar edhe përpjekja dhe lufta e Mehmet Gegës, kundër kësaj politike. Të njëjtën luftë tashmë po e bënte me shumë përkushtim edhe Adem Demaçi në Prishtinë.

Si rezultat i këtij angazhimi atdhetar, jo vetëm në Tetovë, Gostivar, Strugë, Shkup, por edhe në Pejë, Prizren, Mitrovicë dhe Gjilan, Mehmet Gega, arrestohet nga UDB-ja maqedonase më 21 maj të vitit 1955 në qytetin e Shkupit dhe dënohet me 10 vite burgim të rëndë, prej të cilave i mbanë shtatë dhe lirohet në vitin 1962.

Përderisa Mehmet Gega po e vuante dënimin në burg për veprimtari armiqësore ndaj shtetit, më 19 nëntor 1958 burgoset në Prishtinë Adem Demaçi. Në gjykimin e mbajtur në mars të vitit 1959, Gjykata e Qarkut e Prishtinës e dënon Demaçin me pesë vite burgim të rënd. Para se të arrestohej, Demaçi e boton në revistën “Jeta e Re” në vitin 1958 romanin e parë, “Gjarpijt e gjakut”. “Gjarpijt e gjakut” në të vërtet është romani i parë shqiptar në Kosovë. Ky është romani që i shqiptoi dënimin vendimtar gjakmarrjes, njëkohësisht që paraqet akuzë kundër shoqërisë, e cila nuk po ndërmerrte asgjë për çrrënjosjen e saj. Prandaj pushteti e shpalli roman të ndaluar sepse e pengonte ndërprerja e vrasjes së shqiptarëve në mes vete dhe bashkimi i tyre, dhe kushdo që tinëzisht e lexonte apo dhe e shpërndante këtë roman për ta lexuar, e priste arrestimi, torturat dhe burgu.

Në kohën e lirimit të Mehmet Gegësnga burgu i Idrizovës, dëbimi i shqiptarëve në Turqi thuajse ishte ndërprerë plotësisht. Tashmë, lufta e tij duhej intensifikuar dhe zhvilluar në një drejtim krejt tjetër, jo në atë të mbijetesës fizike në trojet e tyre të të parëve, por në avancimin e të drejtave kombëtare, përmes ngritjes së vetëdijes kombëtare dhe të shkallës së organizimit për ta bërë Shqipërinë e zhbërë, duke ia bashkangjitur pjesët e shkëputura padrejtësisht të trungut të saj.

Më 27 prill 1969, gazeta “Rilindja”, duke e botuar një raport të Agjencisë Shtetërore të Lajmeve të Jugosllavisë, “Tanjug”, e themeluar më 5 nëntor 1943, pas shpërbërjes së Jugosllavisë e trashëguar nga Serbia e Millosheviqit ndërsa nga viti 2006 e shndërruar në agjenci shtetërore të lajme e Serbisë, e njohur në të gjitha kohërat si njëra nga shtyllat më të fuqishme të propagandës shoviniste antishqiptare, e njoftonte opinionin me akuzën e grupit të arrestuar për organizimin e demonstratave të Tetovës të 22 dhe 23 dhjetorit 1968.

Me luftë të armatosur kanë dashur që Tetovën, Gostivarin. Dibrën, Kërçovën dhe Strugën t’i bashkojnë një herë me Kosovën e pastaj me Shqipërinë. Udhëheqësi shpirtëror i këtij grupi ka qenë Mehmetriza Murtezani, nacionalist shqiptar i përbetuar…të gjithë kanë qenë organizatorë të demonstratave nacionaliste në Tetovë më 22 dhe 23 dhjetor të vitit të kaluar, kur duke tërhequr me vete grupin e anëtarëve të kombësisë shqiptare kanë shqiptuar me zë të lartë parulla armiqësore dhe seperatiste, thuhet ndër të tjera në raportin me titull “14 organizatorë të demonstratave të Tetovës së shpejti para gjyqit”, mbi aktakuzën e prokurorit publik të qarkut të Shkupit, Vanço Proevski, të dorëzuar gjyqit, ku figurojnë emrat e 14 shqiptarëve nga Tetova dhe Gjakova, të arrestuar duke filluar nga data 24 dhjetor 1968: Mehmetriza Murtezani- Gega (48 vjeçar), mekanik i fabrikës së tekstilit “Teteks” në Tetovë, Faik Mustafa (24), mësues, Abdylselam Selami (30), mësues, Ramadan Sinani- Ramushi (25), mësimdhënës i gjimnazit të Tetovës, Fehmi Rufati (22), student i fakultetit të folozofisë në Shkup, Xhemajl Mustafaj (23), student, Agim Xhaferi (23), student i fakultetit të drejtësisë në Shkup, Arbën Xhaferi (21) student i fakultetit të filozofisë në Beograd, Abdulmenaf Xhaferi (23), mësues, Usmixhevat Useini (24), punëtor i painkuadruar, Isniqemal Sherifi (26), murator, Refik Murati (34), mësues- që të gjithë nga Tetova, si edhe Agim Jaka (21) nga Gjakova, student Fakultetit të filozofisë në Prishtinë, dhe Ibrahim Rudi (23) nga Gjakova, student i Fakultetit të filozofisë në Prishtinë.

Afër dy vite para burgosjes nën akuzën për organizimin e demonstratave të 22 dhe 23 dhjetorit 1968 në Tetovë, më 27 nëntor 1967, tetë pjesëtarët e këtij grupi mblidhen në shtëpinë e Mehmet Gegës, në Tetovë, për të festuar së bashku Ditën e Flamurit, Mehmet Gega, Faik Mustafa, Ramadan Sinani, Hysenxhevat Kalishta, Miftar Zymberi, Fehmi Rufati, Abdylselam Selami, Xhemajl Mustafaj, Arbër Xhaferi dhe Abylmenaf Xhaferi. Festimi i Ditës së Flamuri, ashtu si dhe përdorimi i flamurit kombëtar, për shqiptarët e mbetur nën ish- Jugosllavi në këtë kohë ende ishte e ndaluar dhe sanksionohej me dënimin me burg.

Një muaj para demonstratave në Tetovë, në shumë qytete të Kosovës kishin shpërthyer demonstrata të fuqishme të rinisë studentore, ku krahas statusit të republikës për Kosovën, ishte kërkuar edhe hapja e Universitetit të Prishtinës, bashkimi i viseve tjera shqiptare të Kosovës dhe vetëvendosja deri në shkëputje. Duke qenë në vitin e 500- vjetorit të vdekjës së Skënderbeut, 90- vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, 60- vjetorit të Kongresit të Manastirit, Kongresit të Gjuhës Shqipe, tek shqiptarët shfaqet në këtë kohë një zgjim i veçantë i ndjenjës së krenarisë kombëtare, duke i dhënë kështu përmasa të reja, më përfshirëse, në kuptimin gjeopolitik, Lëvizjes Politike Çlirimtare për të drejta të plota kombëtare, përfshirë edhe të drejtën për vetëvendosje, si parakusht i bashkimit kombëtar dhe bërjës së Shqipërisë, siç shprehej Mehmet Gega, duke e njohur në thelb të vërtetën historike dhe shkencore se një Shqipëri e tillë, e copëtuar, nuk mund të konsiderohet në asnjë rrethanë Shqipëri e bërë.

Aktakuza e Prokurorit të Gjykatës së Qarkut në Shkup kundër Mehmet Gegës dhe të gjithë grupit në fakt përveç terminologjisë sforcuese në shërbim të përpjekjës për diskreditimin e tyre politik, është e qëndrueshme. Është e qëndrushme për faktin se Mehmet Gega edhe pas lirimit në vitin 1962 nga vuajtja e dënimit të parë, jo vetëm që nuk kishte shfaqur shenja frikësimi apo thyerjeje gjatë vuajtjës së dënimit të rëndë, por me të gjithë qenien e tij njerëzore kishte vazhduar luftën kundër padrejtësive dhe shtypjes që po u bëhej shqiptarëve nga pushteti maqedonas, përkatësisht në krijmin e parakushteve të domosdoshme që do të shpienin në jetësimin e synimit që irredentizma shqiptare, e përfaqësuar nga nga prijësi Adem Demaçi në Prishtinë dhe tani edhe nga Mehmet Gega në Tetovë, i kishte vënë vetes: bashkimin me shtetin amë- Shqipërinë dhe bërjen e Shqipërisë. Ky qëndrim, guximi, zgjuarësia dhe afria me të rinjtë e bëri atë të veçantë, të dashur, të respektueshëm dhe e shndërroi në simbol të vërtetë frymëzimi për ta në angazhimet politike kombëtare, përfshirë edhe ato luftarake gjatë luftës çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si dhe të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, për ç’gjë edhe filluan në shenjë admirimi ta thërisnin Baca Mehmet, njëjtë siç po veprohej tashmë prej sa kohësh edhe me Adem Demaçin.

Në këtë kuadër, dënimi prej 7 vitesh burgim të rëndë, që Gjyqi i Qarkut në Shkup më datën 25 prill 1969 i shqipton Mehmet Gegës nuk paraqet asnjë befasi, por është një rrjedhojë logjike, e pritshme, për çdo atdhetar që mbi çdo gjë, mbi çdo rrezik, vuajtje dhe sakrificë të tijen, ka vënë fatin e popullit të tij, përkatësisht qëndresën e paepur dhe luftën e vazhdueshme për të drejta të ligjshme njerëzore, politike dhe kombëtare.

Të gjithë dënimin prej 7 vitesh, Mehmet Gega e vuajti në burgun famkeq të Idrizovës, ku e gëzoi poashtu nderimin dhe respektin meritor nga bashkëvuajtësit shqiptarë për afërsinë, kujdesin dhe urtinë e treguar ndaj tyre si dhe qëndresën dhe guximin e manifestuar përballë zyrtarëve të burgut, shovenistë madeqonasë dhe serbë.

Duke i mbetur besnik deri në skajë idealit të tij- bashkimit kombëtar, Mehmetriza Murtezani- Gega, pas daljes nga burgu nuk pranojë kurrë të bëhej pjesë e kornizave gjeopolitike të programeve të partive politike të shqiptarëve nën Maqedoni, por vazhdoi të përçoi në çdo hap mesazhin e përbashkimit rreth të njëjtit flamur, atij shqiptar, dhe shtet, Shqipërisë së bashkuar, duke e vënë kombin mbi çdo gjë, dhe në këtë aspekt, edhe përkundër faktit se ishte fetar, kultivonte frymën rilindase dhe ishte i pakompromis në luftë me të gjithë ata hoxhallarë dhe besimtarë që përparësi i jipin fesë dhe e nënçmonin kombin, duke i paraqitur shqiptarët si myslimanë të Maqedonisë në vend se si shqiptarë të fesë islame siç janë shqiptarët tjerë, shqiptarë të fesë së krishter, gjë që shkon në favor të sllavëve dhe të gjithë amiqëve të popullit shqiptar.

Një kapitull i veçantë, krejt i natyrshëm, i jetës dhe veprimtarisë politike kombëtare të Mehmet Gegës, paraqet edhe përkrahja e fuqishme që ai i jep pajtimit të gjaqeve në vitin 1990-1991 në Kosovë, të filluar më 2 shkurt 1990 nga rinia e Pejës, dhe rinisë bartëse të këtij pajtimi, të Tetovës dhe Gostivarit, të cilët që në fillim, duke u drejtuar tek ai, u drejtuan në adresën e saktë dhe e gjetën gjithë mbështetjen e nevojshme të ofruar prej tij. Nga ajo kohë, viti 1990, personalisht nuk do ta harrojë kurrë pamjen e tij prej një njeriu të urtë, të dashur, tejet të sjellshëm, jo imponues, vital në shfaqjen e mendimit dhe argumetimit të pikëpamjeve.

Kapitull i veçantë i jetës së pasburgut të dytë të Mehmet Geges, është afria dhe miqësia e tij, edhe familjare, me Adem Demaçin, si dhe takimet dhe ndejat e shpeshta të realizuara gjatë atyre viteve si në Prishtinë ashtu dhe në Tetovë si dhe respekti që tregonte ndaj tij Adem Demaçi, për të cilin Mehmet Gega ishte hero i vërtetë i kombit tonë, pavarësisht fatit që ai vdiq në krevat dhe jo në beteja të ndryshme apo në kthetrat e armiqve nëpër burgje.

Adem Demaçi dhe Mehmet Gega janë dy nga prijësit shpirtëror të irredentizmës shqiptare, me rrënjë në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, 10 qershor 1878, pa të cilët liria e Kosovës, vetë shteti i Kosovës, si zgjidhje dhe hap shumë përafrues i jetësimit të idealit të tyre, mbase do të mund të ishte edhe sot e kësj dite një synim ende i pa jetësuar nga gjenerata e tanishme.

Duke u nisur nga ky fakt si dhe duke marrë për bazë edhe dënimet e rënda që i janë shqiptuar, dy herë nga 10 vite, prej të cilave 14 vite i ka kaluar nëpër burgje, Mehmet Gega, anipse në moshë më të shtyer se sa Adem Demaçi, cilësohet më të drejtë edhe si Demaçi i Tetovës.

(Fusnotat i ka hequr redaksia)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka publikuar lajmin…