Krasniqi viziton Brukselin: Dialogu duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, i shoqëruar nga sekretari për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Bernard Nikaj, dhe sekretari për Çështje të Integrimeve Euroatlantike, Bekim Çollaku, ka takuar të martën në Bruksel përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Gjatë këtij takimi, Krasniqi dhe Lajçak kanë diskutuar për ecurinë e procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe qëndrimin e Partisë Demokratike të Kosovës, si lidere e opozitës, karshi këtij procesi të rëndësishëm për dy shtetet dhe për rajonin.
Kryetari Krasniqi e ka ritheksuar se PDK-ja, si parti shtetformuese, e mbështetë vazhdimin e dialogut Kosovë – Serbi, i cili duhet të përfundojë me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.
“Emisarin Lajçak e falënderova për angazhimin e tij në këtë proces delikat dhe potencova se çfarëdo marrëveshje e mundshme mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, të mos e cenojë tërësinë territoriale, integritetin dhe sovranitetin e vendit”, ka thënë Krasniqi.
Gjatë vizitës në Bruksel, kreu i PDK-së ka takuar edhe zëvendësdrejtorin për Evropë në Shërbimin Evropian për Veprimit të Jashtëm, Marko Makovec, ku kanë diskutuar për nevojën e thellimit të bashkëpunimit dhe koordinimit të Kosovës me Bashkimin Evropian në çështjet politike, përfshirë zbatimin e MSA-së dhe rekomandimet e Raportit për Vendin.
Kreu i PDK-së ka thënë se rruga e integrimeve evropiane për Kosovën është synim i shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj, ndërsa ka bërë thirrje që Bashkimi Evropian të jetë më proaktiv në këtë proces në mënyrë që integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane të ndodhë sa më parë.



