Mërgim Bajraktari – futbollist i dalluar dhe trajner i suksesshëm, nga sot mban licencën prestigjioze UEFA A
NGA SHPRESA E MADHE E FUTBOLLIT SHQIPTAR DERI TE ELITA E TRAJNINGUT EVROPIAN – MËRGIM BAJRAKTARI PAJISET ME LICENCËN UEFA A.
Shkruan: Veli Kajtazi
Mërgim Bajraktari ka arritur një tjetër kulm të rëndësishëm në rrugëtimin e tij profesional, duke u pajisur me Licencën UEFA A për trajnerë profesionistë, një dëshmi e përkushtimit, punës së palodhshme dhe pasionit të tij për futbollin.
Rruga e tij në sport ka qenë e veçantë dhe e mbushur me sfida. Si futbollist, Bajraktari konsiderohej një nga talentet më premtuese të futbollit shqiptar. Në një periudhë kur pritej të depërtonte në nivelet më të larta të futbollit evropian, ai u përball me një dëmtim serioz gjatë grumbullimit me Kombëtaren U21 të Shqipërisë në Austri.
Në moshën vetëm 19-vjeçare, pas një ndërhyrjeje kirurgjikale, ai qëndroi rreth 18 muaj larg fushave të blerta, një periudhë që ndikoi ndjeshëm në vazhdimësinë e karrierës së tij si futbollist.
Megjithatë, Bajraktari nuk u dorëzua. Ai vazhdoi të kontribuonte në futboll, duke përfaqësuar Shqipërinë në kategoritë U18, U19 dhe U21, si dhe duke luajtur për klube të njohura zvicerane si FC Thun, FC Nyon dhe FC Black Stars. Përvoja e fituar në futbollin zviceran, së bashku me zotërimin e pesë gjuhëve të huaja, e kanë bërë atë një profesionist të kompletuar në ambientin ndërkombëtar sportiv.
Në futbollin rajonal të Baselit, Bajraktari është vlerësuar lart për punën dhe rezultatet e tij si trajner. Vetëm dy vite më parë, ai u rendit ndër trajnerët më të suksesshëm në rajonin Basel-Baselland, ndërsa për një periudhë ishte edhe ndër trajnerët më të rinj të pajisur me licenca të avancuara të UEFA-s.
Si trajner, ai është dalluar për progresin e vazhdueshëm dhe ngritjen graduale sportive. Me disiplinë, vizion dhe përkushtim, ai ka arritur të avancojë vazhdimisht në karrierën e tij. Më 7 qershor, ai e përfundoi sezonin me ekipin FC Kleinhüningen në Ligën e Dytë Rajonale, duke e mbyllur kampionatin në vendin e parë. Ndërkaq, nga 1 korriku, Bajraktari do të marrë drejtimin e ekipit Old Boys, duke nisur kështu një kapitull të ri në karrierën e tij trajneriale.
Sot, me Licencën UEFA A në duar, Mërgim Bajraktari konsiderohet një nga emrat premtues të trajningut shqiptar në diasporë. Shpresa mbetet që në të ardhmen ta shohim në krye të një klubi të madh në Kosovë, Shqipëri apo më gjerë, duke sjellë përvojën, profesionalizmin dhe pasionin e tij në nivelet më të larta të futbollit.
Historia e tij është dëshmi se suksesi nuk vjen vetëm nga talenti, por edhe nga këmbëngulja, aftësia për t’u rikthyer pas sfidave dhe dashuria e pakushtëzuar për lojën.



