Merkeli: Gjermanisë i duhen prova për ta shpallur lëvizjen e Gulenit ‘terroriste’

28 shtator 2018 | 14:46

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka thënë se vendi i saj ka nevojë për më shumë prova për të shpallur terroriste lëvizjen e klerikut turk, Fetullah Gulen.

Turqia i ka kërkuar Gjermanisë të bëjë një gjë të tillë, duke thënë se lëvizja e Gulenit qëndron prapa përpjekjes për grushtshtet në Turqi, në vitin 2016.

Merkel i ka bërë këtë komentet në një konferencë për medie në Berlin, së bashku me presidentin turk, Rexhep Taip Erdogan.

“Ne i marrim shumë seriozisht provat e Turqisë, por na duhen më shumë materiale për ta klasifikuar këtë lëvizje si terroriste, ashtu siç kemi bërë me grupin Partia e Punëtorëve të Kurdistanit”, ka thënë Merkeli.

Ndërsa, presidenti Erdogan ka kërkuar nga Berlini që t’i ekstradojë, siç ka thënë ai, qindra mbështetësit e Gulenit që jetojnë në Gjermani.

Erdogani ndodhet në vizitë në Gjermani, në përpjekje për të ulur tensionet midis dy vendeve.

Në mars të vitit të kaluar, Erdogani i ka krahasuar zyrtarët gjermanë me nazistët, pasi ata ia kanë anuluar tubimet, që ai ka planifikuar t’i mbajë për diasporën turke në Gjermani, në prag të një referendumi të rëndësishëm për pushtetin e tij.

Berlini po ashtu e ka kritikuar Erdoganin për shtypjen e kundërshtarëve politikë, pas puçit të dështuar në Turqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, ka kërkuar…