Merr detyrën qeveria e re e Malit të Zi

07 dhjetor 2020 | 12:10

Qeveria e re e Malit të Zi, e cila për herë të parë pas gati tri dekadash nuk është formuar nga Partia Demokratike e Socialistëve, mori detyrën të hënën.

Kryeministri i deritashëm, Dushko Markoviq, konfirmoi në llogarinë e vet në “Twitter” se i ka dorëzuar detyrën kryeministrit të ri, Zdravko Krivokapiq.

“Shpresojmë se kjo qeveri do të punojë në interes të Malit të Zi dhe të gjithë qytetarëve të tij”, ka thënë Markoviq.

Kryeministri i ri, Krivokapiq, dhe kabineti i tij, i cili përbëhet nga 12 ministra dhe një zëvendëskryeministër, ku këtë post do ta ushtrojë Dritan Abazoviq, janë zgjedhur në një seancë të Kuvendit të Malit të Zi, më 4 dhjetor.

Ata i kanë mbështetur 41 deputetë nga gjithsej 81.

Qeveria e re përbëhet nga tre koalicione, ndërsa dominohet nga partia Fronti Demokratik, e cila cilësohet si pro-serbe.

Partia Demokratike e Socialistëve, e cila udhëhiqet nga presidenti Millo Gjukanoviq, i ka humbur zgjedhjet e 30 gushtit, për herë të parë në gati 30 vjet.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Projektligji i punës dhe i pushimit të lehonisë së shpejti…