Mesazhet e Costas për Kosovën

04 qershor 2026 | 08:02

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, zhvilloi të mërkurën një vizitë zyrtare në Kosovë, ku u takua me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, si dhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Costa përcolli mesazhin se avancimi i Kosovës në procesin e integrimit evropian lidhet drejtpërdrejt me zbatimin e reformave dhe funksionimin efektiv të institucioneve shtetërore.

Në një konferencë për media, ai vlerësoi përkushtimin e Kosovës në harmonizimin e politikës së saj të jashtme me qëndrimet e Bashkimit Evropian, duke e konsideruar këtë një sinjal të rëndësishëm të orientimit evropian të vendit.

Duke folur për zhvillimet politike në Kosovë, Costa nënvizoi se mbështetja e Bashkimit Evropian shoqërohet me përgjegjësi nga ana e institucioneve vendore.

“Bashkimi Evropian mbetet partner i Kosovës, por progresi kërkon institucione të qëndrueshme, funksionale dhe të afta për të përmbushur detyrimet që dalin nga procesi i integrimit”, deklaroi ai.

Sipas presidentit të Këshillit Evropian, reformat demokratike, respektimi i të drejtave të të gjitha komuniteteve dhe dialogu politik janë elemente thelbësore për afrimin e Kosovës me familjen evropiane.

Costa theksoi gjithashtu rëndësinë e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe bashkëpunimit rajonal, duke i cilësuar ato si faktorë kyç për zhvillimin ekonomik dhe stabilitetin afatgjatë të Ballkanit Perëndimor.

Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve iu kushtua edhe dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij, normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve mbetet një nga kushtet kryesore për përparimin e tyre drejt Bashkimit Evropian.

I pyetur për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, të dorëzuar në fund të vitit 2022, Costa tha se proceset evropiane kërkojnë kohë dhe se prioritet mbetet përmbushja e reformave të nevojshme.

Nga ana e saj, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, theksoi se integrimi në Bashkimin Evropian mbetet objektiv strategjik i Kosovës dhe reflektim i vullnetit të qytetarëve të saj.

Ajo bëri të ditur se gjatë takimit është diskutuar për agjendën evropiane të Kosovës, zbatimin e reformave, Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe zhvillimet rajonale.

Ndërkohë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, falënderoi Bashkimin Evropian për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe vlerësoi se vendi ka bërë përparim të dukshëm në fusha të ndryshme gjatë viteve të fundit.

Sipas tij, Kosova ka shënuar rezultate në forcimin e sundimit të ligjit, luftimin e korrupsionit, avancimin e lirive demokratike dhe zhvillimin ekonomik, duke u renditur ndër ekonomitë me rritjen më të shpejtë në rajon.

Në takim u diskutua edhe për bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe institucioneve evropiane, çështjet e sigurisë, si dhe rëndësinë e ruajtjes së fqinjësisë së mirë për forcimin e bashkëpunimit rajonal.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, deklaroi…