Mësimdhënësit do të vaksinohen me kontingjentin e dytë të vaksinave

13 prill 2021 | 15:45

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka vizituar sot Sindikatën e Bashkuar të Arsimit dhe Kulturës (SBAShK), ku është pritur nga kryetari Rrahman Jasharaj me bashkëpunëtorë.

Gjatë këtij takimi u bisedua për gjendjen aktuale në arsim dhe procesin mësimor në kushte të pandemisë Covid-19, si dhe vështirësitë e ndryshme me të cilat ballafaqohen mësimdhënësit në këtë periudhë.

“Në takim u bisedua edhe për mundësinë e vaksinimit të mësimdhënësve, në veçanti atyre që kanë probleme shëndetësore, pas arritjes së kontingjentit të dytë të vaksinave”, është bërë me dije në njoftimin e MAShTI-it.

Ministrja Nagavci ka falënderuar të gjithë anëtarët e SBAShK-ut, mësimdhënësit, dhe stafin tjetër për punën e bërë dhe bashkëpunimin me MAShTI-n dhe institucionet tjera për organizimin e mësimit në kushte të pandemisë.

Ajo ka thënë se kthimi në shkolla është synim i Ministrisë duke uruar që kjo gjendje të përfundojë sa më shpejtë dhe të kthehen të gjithë nxënësit në shkolla.

Nagavci ka shtuar se aktualisht Ministria e Arsimit është në një fazë të punës intensive për organizimin e vlerësimeve të jashtme kombëtare dhe ndërkombëtare të nxënësve dhe të gjitha aktiviteteve tjera për ta përmbyllur këtë vit të vështirë në arsim.

Ajo ka përmendur edhe rëndësinë e mbajtjes së mësimit plotësues për çka tha se do të kërkojë nga komunat që ta bëjnë një plan për realizimin e këtij procesi.

Gjithashtu, kërkoi që krahas mësimit të respektohen edhe masat kundër pandemisë si dhe të bëhet dezinfektimi i shkollave. Në këtë pikë, shprehu brengën që ish-Qeveria Hoti mjetet që i ka ndarë për shtesa të mësimdhënësve i ka marrë nga fondi që ishte paraparë për zbatimin e Masterplanit gjë që e ka vështirësuar mundësinë për dezinfektim të godinave shkollore, sigurimin e pajisjeve higjienike, sigurimin e mësimdhënësve zëvendësues e blerjen e pajisjeve të teknologjisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Jennifer Aniston ka ndarë një lajm të këndshëm në lidhje…