Mësimdhënësit, të gatshëm ta nisin mësimin në objektet shkollore

20 gusht 2021 | 10:59

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBAShK), Rrahman Jasharaj, ka bërë me dije se mësimdhënësit janë të gatshëm që vitin e ri shkollor ta nisin në objektet shkollore.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, ai ka thënë se është rritur numri i mësimdhënësve të vaksinuar. Jasharaj është shprehur i bindur se deri në fillim të shtatorit pjesa dërrmuese e punëtorëve të arsimit do të vaksinohen me dozën e parë të vaksinës kundër Covidit.

Sa i përket përgatitjes së institucioneve për fillimin e këtij viti shkollor, ai ka thënë se e vërteta e këtyre përgatitjeve do të dihet shumë shpejt

“Epoka e re”: Z. Jasharaj, MAShTI ka paralajmëruar se fillimi i vitit të ri shkollor do të fillojë më 1 shtator. A janë bërë përgatitjet e duhura për fillimin e këtij viti shkollor?
Jasharaj: SBAShK-u, pas publikimit fillestar në media për numrin e vogël të të vaksinuarve nga sektori i arsimit, pjesën më të madhe të angazhimeve i ka kushtuar çështjes së vaksinimit. Pasi kemi marrë informatat se ishin të vogla shifrat e të vaksinuarve, kemi dalë me apelin publik drejtuar anëtarësisë sonë që të vaksinohet. Të njëjtin apel e kemi përsëritur pas takimit me ministren Nagavci dhe i falënderojmë publikisht punëtorët e arsimit, sepse ata e përfillën apelin tonë dhe numri i të vaksinuarve në sektorin e arsimit sa vjen e shtohet dhe besojmë shumë se deri në fillim të shtatorit pjesa dërrmuese e punëtorëve të arsimit do të jenë të vaksinuar me dozën e parë e një numër i madh i tyre edhe me dozën e dytë të vaksinës. Në takimin që kishim këtë të martë me grupin punues të MAShTI-t lidhur me Udhëzimin Administrativ për kalendarin shkollor për vitin e ri shkollor, na është thënë se ata konsiderojnë, bazuar në raportet e drejtorive arsimore, se janë bërë përgatitjet e duhura për nismë të mbarë të vitit të ri shkollor dhe urojmë të jetë kështu. Por, nga praktikat e viteve të kaluar, ka DKA që gjendjen nuk e paraqesin reale. Ne nga e hëna do të mbledhim shënime të sakta nga kryetarët e shoqatave sindikale nga të gjitha shkollat e Kosovës dhe nga kryetarët e nivelit komunal sindikal dhe do të bazohemi në ato informata sepse gjithmonë kanë qenë korrekte dhe të sakta, pastaj në bazë të tyre edhe do të dalim publikisht lidhur me atë sa janë përgatitur institucionet arsimore për fillimin e vitit të ri shkollor. Institucionet duhet ta kenë të qartë se përgatitjet që janë bërë në të kaluarën, kur nuk kemi pasur probleme shtesë me Covidin, nuk janë të mjaftueshme nëse nuk janë bërë përgatitje dhe angazhime shtesë, ngaqë tani versioni i ri i Covidit, pra “Delta”, po prek edhe fëmijët dhe moshat e reja, që në vitin e kaluar shkollor nuk ishte kështu, prandaj përgatitjet duhet të jenë maksimale. SBAShK-u është angazhuar dhe vazhdon të angazhohet për ta mobilizuar anëtarësinë për vaksinim të plotë dhe për t’u përgatitur për procesin mësimor, por edhe të tjerët duhet të jenë në nivel të angazhimeve.
E vërteta se a janë dhe sa janë të përgatitura institucionet arsimore për të filluar mbarë viti i ri shkollor do të dalë shpejt në shesh. Neve na gëzon fakti se punëtorët e arsimit kanë dëgjuar apelin tonë dhe është shtuar shumë numri i të vaksinuarve. Po ashtu, krenohemi me gatishmërinë e tyre që mësimin ta nisin në objekte shkollore.  Janë të tjerët ata që është dashur ta kryejnë obligimin e tyre dhe e kanë obligim edhe ta raportojnë gjendjen reale të përgatitjeve pa bërë zbukurime. Kishte tendenca që të krijohet në opinion “fajtori kujdestar” nëse do të ketë telashe me fillimin e vitit të ri shkollor, duke u thirrur vazhdimisht në numrin e vogël të punëtorëve arsimorë të vaksinuar, por anëtarësia e SBAShK-ut ua heshti këtë tendencë sepse numri i të vaksinuarve sa vjen e shtohet dhe ne i përgëzojmë dhe i falënderojmë që e kanë dëgjuar apelin tonë. Këtë gjë e kemi pritur sepse e kemi krijuar me punë dhe përkushtim, besim dhe respekt të ndërsjellë.

“Epoka e re”: Sa janë të përgatitur mësimdhënësit për fillimin e këtij viti shkollor?
Jasharaj: Punëtorët arsimorë në përgjithësi janë të përgatitur për ta nisur vitin e ri shkollor. Ata tanimë janë duke u paraqitur në institucione arsimore dhe janë duke bashkëbiseduar për detyrat konkrete. Ata edhe në vitin e kaluar mësimor, por edhe tani janë këmbëngulës që procesi mësimor të zhvillohet në institucione arsimore pavarësisht prej vështirësive tepër të mëdha që ka krijuar pandemia. SBAShK-u i përgëzon për këtë duke u premtuar se, si në të kaluarën, edhe tani e gjithmonë do të jetë zë i tyre dhe do të vazhdojë angazhimet për t’i realizuar kërkesat legjitime të tyre.

“Epoka e re”: Opozita ka thënë se nuk janë bërë përgatitjet e duhura dhe se po rrezikohet edhe ky vit shkollor. Cili është qëndrimi juaj për këto kritika?
Jasharaj: Opozita ka qëndrimit e veta dhe misionin e vet. Unë besoj se opozita deklarimet dhe vlerësimet e veta është në gjendje edhe t’i argumentojë para opinionit. Fillimi shtatori do të tregojë të vërtetën dhe uroj që të jenë bërë përgatitjet e duhura dhe të kemi rrjedhë të mbarë të procesit mësimor.

“Epoka e re”: Keni ndonjë statistikë se sa mësimdhënës janë vaksinuar deri më tani?
Jasharaj: Ministra e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik me siguri i jep të dhëna konkrete MAShTI-t. Pra, ata dinë sakë rrjedhën e vaksinimit edhe në sektorin e arsimit. Deklaratat e ministres Nagavci janë optimiste se procesi i vaksinimit të punëtorëve arsimorë ka rrjedhë të mbarë dhe se numri i të vaksinuarve sa vjen e shtohet.

 

“Epoka e re”: Cili është mesazhi juaj për mësimdhënësit që po hezitojnë të vaksinohen kundër Covidit?
Jasharaj: Unë dhe stafi qendror jemi vaksinuar me të dyja dozat dhe këtë e kemi bërë që të jemi të mbrojtur dhe të jemi në nivel të angazhimeve në shërbim të anëtarësisë. U bëjmë thirrje edhe punëtorëve arsimorë që nuk janë vaksinuar ende, që këtë obligim ta kryejnë dhe kështu të jenë të mbrojtur, njëkohësisht t mbrojnë familjen dhe nxënësit. Vaksinimi tanimë është obligim dhe punëtorët arsimorë u dëshmuan edhe në të kaluarën me unitet e përkushtim në misionin e tyre të shenjtë për edukimin e brezave. Me nder ia dolëm ta kryejmë këtë mision edhe në vitet e okupimit duke u përballur me forcat e pushtuesit, pra me një armik të arsimit që dukej. Unik dhe të vendosur do të përballemi suksesshëm tani me një armik që nuk shihet dhe kështu do ta kryejmë me nder misionin tonë të shenjtë për edukimin dhe arsimimin e brezave.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sonny Chiba ka ndërruar jetë pasi luftoi me Covid-19. Ylli…