Meta për pakon kundër shpifjes: Pa medie të lira rruga drejt BE-së është e pamundur

15 gusht 2019 | 13:25

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka reaguar në lidhje me debatin e hapur pas paketës ligjore antishpifje të ndërmarrë nga mazhoranca qeverisëse.

Meta nëpërmjet një reagimi publik ka theksuar se pa medie të lira rruga e Shqipërisë drejtë Bashkimit Evropian (BE) është e pamundur.

Reagim i plotë i Metës:

Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta po ndjek me shumë vëmendje shqetësimet e thella të shprehura nga komuniteti i gazetarëve shqiptarë dhe organizatat ndërkombëtare që monitorojnë lirinë e medias në vendin tonë, lidhur me nismën ligjore “anti-shpifje” të propozuar nga qeveria.

Duke ndarë bindjen se çdo goditje ndaj institucionit të medies, është sulm ndaj demokracisë, Presidenti Meta thekson domosdoshmërinë e marrjes në shqyrtim nga ana e qeverisë, por edhe e Parlamentit, e të gjitha sugjerimeve të shprehura nga komuniteti i gazetarëve, me kujdesin dhe vëmendjen e duhur që ato meritojnë.

Presidenti Meta shpreh bindjen se angazhimi i institucioneve dhe i shoqërisë në përkrahje të lirisë së të shprehurit është tregues për demokracinë, qeverisjen e mirë dhe përgjegjësinë publike në vend.

Presidenti Meta thekson se liria e të shprehurit është e drejtë themelore e njeriut dhe shtyllë e pazëvendësueshme e jetike për një shoqërie moderne demokratike, si dhe për garantimin e llogaridhënies nga të gjitha institucionet publike.

Zbritja me 7 vende në Indeksin Botëror të Lirisë së Medies, sipas konkluzioneve të organizatës botërore të gazetarëve “Reporterët pa Kufij”;

Përfundimet e raportit vjetor të “Freedom House” se media në Shqipëri është pjesërisht e lirë;

Konkluzionet e “Misionit për lirinë e medies” të shtatë organizatave globale sipas të cilave “autoritetet shqiptare nuk po përmbushin detyrimet ndaj ligjit vendas dhe instrumenteve ndërkombëtare për të garantuar lirinë e shprehjes dhe të medies, duke theksuar se ka pasur një përkeqësim të sigurisë, kushteve të punës dhe aksesit në informacion të gazetarëve”;

Raporti paraprak i OSBE/ODIHR ku theksohej se “media të mëdha u shërbejnë si platforma lobuese pronarëve të tyre, duke vënë kështu në pikëpyetje pavarësinë e tyre editoriale dhe duke imponuar autocensurën”;

Janë këmbana të forta alarmi për gjendjen e përkeqësuar dhe tepër shqetësuese në të cilën ndodhen sot gazetarët në Shqipëri.

Presidenti Meta garanton komunitetin e gazetarëve se do të jetë përherë në mbështetje të tyre kundër çdo tentative që synon të cenojë fjalën e lirë dhe pavarësinë e medies, që rrezikon të kthejë vendin 30 vite pas.

Pa media të lirë dhe të pavarur, rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian është e pamundur.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kampionia e Gjermanisë, Bayern Munchen duke planifikuar rikthimin e sulmuesit…