Milwaukee finalisti i parë në Lindje, Golden State rikthehet te fitorja

09 maj 2019 | 14:18

Skuadra e Milwaukee është finalistja e parë e “play-off”-it në Konferencën e Lindjes në NBA. Bucks fituan me lehtësi 116-91 ndaj Boston në gjysmëfinalen e pestë, duke fituar 4-1 serinë e takimeve. Një ndeshje që ishte një formalitet për Milwaukee, që para tifozëve të saj nuk zhgënjeu. Vendasit u shkëputën gradualisht nga perioda në periodë, duke mos e vënë në asnjë moment në diskutim fitoren.

7 lojtarë të Milwaukee realizuan mbi 10 pikë, me të zakonshmin Giannis Antetokounmpo që realizoi 20 pikë, mbështetur nga Middleton me 19 dhe Bledsoe me 18 pikë. Boston ishte në një ditë të keqe, duke gabuar shumë në gjuajtje.

Në Perëndim, skuadra kampione e Golden State fitoi 104-99 ndaj Houstonit në ndeshjen e pestë gjysmëfinale, duke udhëhequr 3-2 serinë. Faktori fushë vendimtar edhe këtë herë, me Warriors që triumfuan në shtëpi. Edhe pse Golden State u shkëput 20 pikë në periodën e dytë, sfida u bë shumë interesante në periodën e katërt. Rockets rikuperojnë menjëherë, madje dalin edhe në avantazh. Gjithsesi, minutat e fundit i japin fitoren skuadrës së Warriors, më e kujdesshme në fushë.

Ai që bëri diferencën në këtë sfidë ishte Klay Thompson, që realizoi 27 pikë, mbështetur nga Curry me 25 dhe Durant me 21 pikë. Në kahun tjetër u dallua Harden, që realizoi 31 pikë, por që s’mjaftuan për të evituar humbjen. /Telesport/

Konferenca e Lindjes – Gjysmëfinale “play-off”

Milwaukee – Boston       116-91 (4-1)
Toronto – Philadelphia              (3-2)

Konferenca e Perëndimit – Gjysmëfinale “play-off”

Golden State – Houston           104-99 (3-2)
Portland – Denver                                   (2-3)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, i ka kërkuar Turqisë njohjen…