Ministrat e BE-së diskutojnë për masat e reja të migracionit

08 qershor 2023 | 16:22

Ministrat e punëve të brendshme të Bashkimit Evropian (BE) janë takuar të enjten në përpjekje për të arritur një marrëveshje si të ndajnë përgjegjësinë e kujdesit për refugjatët dhe emigrantët.

Sistemi i azilit në Evropë ka dështuar tetë vjet më parë pasi mbi një milion njerëz, shumica e të cilëve po iknin nga lufta në Siri, kanë hyrë në Evropë dhe kanë mbingarkuar kapacitetet e pritjes sidomos në Greqi dhe Itali. Kjo ka shkaktuar një nga krizat më të mëdha politike të BE-së.

Presidnca e BE-së, që deri në fund të vitit mbahet nga Suedia, ka propozuar një sistem sipas të cilit vendet që nuk duan të pranojnë imigrantë mund të paguajnë para duke sugjeruar që të japin rreth 20 000 euro për çdo emigrant.

“Kanë kaluar pothuajse tre vjet që kur kam paraqitur këtë propozim të madh dhe ka qenë një maratonë. Falë arritjeve të mëdha gjatë dy viteve të fundit, na kanë mbetur ndoshta edhe 100 metra. Pra, jemi shumë pranë arritjes së një marrëveshjeje sot”, ka thënë komisionerja evropiane për çështje të brendshme, Ylva Johansson.

Sipas rregullave ekzistuese, vendet ku emigrantët mbërrijnë fillimisht duhet t’i intervistojnë dhe t’i kontrollojnë ata dhe të përpunojnë kërkesat e atyre që dëshirojnë të aplikojnë për azil.

Por Greqia, Italia dhe Malta kanë pohuar se kjo është një barrë shumë e rëndë për to.

Përpjekjet për të vendosur sisteme kuotash për të ndarë emigrantët me vende të tjera anëtare janë kundërshtuar në gjykatë dhe më pas propozimi është braktisur në tërësi.

Një marrëveshje e re që do të detyronte vendet e BE-së të paktën të paguajnë për emigrantët kërkon mbështetjen e afërsisht dy të tretave të 27 vendeve anëtarëve, por kjo shumicë duhet që gjithashtu të përbëjë rreth dy të tretat e popullsisë së BE-së.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi i Komunës së Podujevës…