Ministrat e jashtëm të Rusisë e Britanisë takohen në Moskë

22 dhjetor 2017 | 10:46

Ministri i Jashtëm britanik, Boris Johnson është takuar sot për herë të parë në Moskë me homlogun e tij rus, Sergei Lavrov.

Johnsoni ka thënë se ai do t’i thotë Kremlinit të ndalojë përpjekjet për “destabilizim” të Evropës.

Vizita e Johnsonit me ministrin Lavrov shënon vizitën e parë të tillë të një ministri të Jashtëm britanik në Moskë në pesë vitet e fundit.

Ky takim vjen në kohën kur marrëdhëniet në mes të Londrës dhe Moskës janë tensionuar për shkak të dallimeve për Ukrainën dhe Sirinë, si dhe për supozimet se Kremlini ka ndërhyrë në politikën evropiane dhe në Shtetet e Bashkuara.

Kremlini i ka hedhur poshtë këto akuza. “Marrëdhëniet tona me Rusinë nuk mund të ‘jenë si zakonisht’ derisa Rusia vazhdon të bëjë përpjekje për destabilizim të shteteve evropiane, duke përfshirë Ukrainën”, ka thënë Johnson përmes një deklarate.

“Sidoqoftë është e rëndësishme për sigurinë ndërkombëtare që të flasim me njëri-tjetrin, pasi pasojat e mungesës së komunikimit dhe keqkuptimeve janë shumë serioze. Vizita ime në Rusi vjen në një kohë kritike, mirëpo ne duhet të punojmë së bashku për të zgjedhur sfidat më të mëdha globale”, ka thënë ai.

Johnsoni ka thënë se do të diskutojë për marrëveshjen bërthamore me Iranin, për Korenë Veriore, si dhe për çështje të sigurisë rreth kampionatit për Kupën e Botës në futboll, i cili do të mbahet në Rusi.

Ndërsa zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, një kritike e madhe e Johnsonit ka fajësuar Britaninë pë relacionet e tensionuara. Zakharova e ka cilësuar më parë Johnsonin si joprofesional.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kim Kardashian dhe Kanye West janë ndër personat më të…