
Ministri Aliu nënshkruan marrëveshje me kolegjin që merr pagë mbi 1 mijë euro në muaj
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka bërë me dije se ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Kolegjin “UBT”.
Ministri Aliu në bazë të deklarimit të pasurisë del se me këtë kolegj ka marrëdhënie pune dhe se paguhet mbi 1 100 euro në muaj.
“Sot, nënshkruam marrëveshjen që përcakton kornizat e bashkëpunimit institucional në mes të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe Kolegjit ‘UBT’, në fushat e interesit të përbashkët, në pajtim me kompetencat ligjore, për hartimin, aplikimin dhe zbatimin e projekteve, elaborateve dhe studimeve të përbashkëta, hulumtime shkencore, organizimin dhe realizimin e forumeve profesionale, konferencave dhe simpoziumeve shkencore, realizimin e këshillimeve profesionale reciproke, ofrimin e mundësive për realizimin e praktikës profesionale për studentët, harmonizimin e përmbajtjeve mësimore me nevojave e tregut të punës, si dhe funksionalizimin e institucioneve të përbashkëta profesionale dhe shkencore”.
“Kjo marrëveshje e bashkëpunimit është reflektim i zotimit të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për të forcuar bashkëpunimin me universitetet, në këtë rast me UBT – Higher Education Institution, në mënyrë që të jetësohet kjo praktikë në aktivitetet e përditshme të Ministrisë. Kjo qasje do të kontribuojë që planifikimi dhe orientimi strategjik, si dhe të gjitha vendimet që merren, të kenë bazë shkencore dhe në këtë mënyrë universitetet tona të japin kontributin e tyre në procese të rëndësishme”, ka shkruar Aliu në llogarinë e vet në “Facebook”.
Formularin e plotë të deklarimit të pasurisë mund ta lexoni: KËTU