Ministri Bytyqi prezanton prioritetet e MAShT-it para FMN-së

04 dhjetor 2017 | 16:12

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka pritur të hënën në takim një delegacion të Fondit Monetar Ndërkombëtar, të kryesuar nga Stephanie Eble, shefe e misionit të FMN-së për Kosovën, me të cilët ka biseduar për prioritet e Qeverisë së Kosovës në fushën e arsimit.

Ministri Bytyqi pasi ka folur për gjendjen e përgjithshme në arsim dhe hapat të cilët planifikohet që të ndërmerren në përmirësimin e cilësisë, ka vlerësuar ndihmën që Fondi Monetar Ndërkombëtar ka dhënë në sektorin e arsimit në Kosovë. “Kemi vendosur prioritetet tona në qeverisjen katërvjeçare, në mënyrë që të ndryshojmë gjendjen në arsim. Prioritetet tona janë ndarë në dy pjesë: e para ka të bëjë me përmirësimin e cilësisë në arsimin parauniversitar dhe e dyta me arsimin e lartë”, ka thënë ministri Bytyqi.

Ministri Bytyqi, po ashtu, ka folur edhe për aplikimin e mësimit tërëditor, profilizimin e mësuesve, orientimin e nxënësve të shkollave të mesme të ulëta në bazë të rezultateve që arrijnë gjatë shkollimit, harmonizimin e arsimit të lartë me nevojat e tregut të punës dhe hapa të tjerë, të cilët planifikohet që të ndërmerren gjatë kësaj qeverisje.

Ndërsa, shefja e misionit të FMS-së për Kosovën, Stephanie Eble, ka falënderuar ministrin Bytyqi për pritjen, ku u bisedua për arritjet e deritanishme në sektorin e arsimit dhe ndihmën që FMN mund të ofrojë në përmirësimin e politikave arsimore në të ardhmen, në mënyrë që të arrihen rezultate në përmirësimin e cilësisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Profesori i së Drejtës Penale, Ismet Salihu, ka thënë  se…