Ministri Gashi përuroi Qendrën e Rinisë në Pejë

06 shtator 2018 | 15:12

Qyteti më perëndimor i Kosovës, Peja, të enjten u bë me Qendrën e Rinisë. Të rinjtë e kësaj treve tani e tutje do të kenë shtëpinë e tyre të re.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, bashkë me kryetarin e kësaj komune, Gazmend Muhaxheri, zyrtarë të Ministrisë e Komunës dhe përfaqësues të strukturave rinore bënë përurimin e këtij objekti, investim i tërësishëm i MKRS-së, në vlerë prej mbi 220 mijë euro.
Projekti, deri në finalizimin e tij ka zgjatur dy vite.

Në takimin që zhvilluan ministri Gashi e kryetari Muhaxheri, e vlerësuan se ky projekt kapital është i rëndësishëm për të rinjtë pejanë dhe tani ata kanë hapësirën e mjaftueshme dhe moderne se ku t’i realizojnë aktivitetet dhe grumbullimet e tyre. Po ashtu, Gashi e Muhaxheri kanë biseduar edhe për projekte dhe mundësi tjera të bashkëpunimit e bashkëinvestimit në të mirë të qytetarëve të Komunës së Pejës. Konkretisht, diskutuan edhe për zgjidhjen e çështjes së Qendrës Nacionale të Xhudos, e cila shumë shpejt do të fillojë të ndërtohet.

Ministri Gashi ka shprehur kënaqësinë për realizimin e këtij projekti, duke e konsideruar se të rinjtë e Pejës tani kanë vendin e tyre, adresën ku mund të takohen, planifikojnë dhe jetësojnë aktivitetet në interesin e tyre. “Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka qenë investuese e këtij projekti dhe jemi duke planifikuar edhe disa investime në komuna të tjera. E kemi përfunduar projektin në Vushtrri, jemi duke investuar në komunën e Ferizajt dhe shumë shpejt do fillojmë me tri qendra të tjera rinore në qytete të ndryshme, në mënyrë që të rinjve të Kosovës t’u krijojmë kushte, mundësi dhe hapësira të reja në shërbim të aktiviteteve rinore, sepse siç dihet pjesa më vitale e shoqërisë janë të rinjtë”, është shprehur mes tjerash ministri Gashi.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka falënderuar ministrin Gashi për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm që MKRS-ja ka me komunën në projekte që janë në interes të qytetarëve të Pejës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në përurimin…