Ministri Ismaili: Sëmundjet e rralla janë pjesë e listës së barnave esenciale

26 qershor 2019 | 12:11

Ministri i Shëndetësisë (MSh), Uran Ismaili, ka raportuar para Komisionit për Shëndetësi lidhur me procesin e revidimit të listës e barnave esenciale.

Ismaili ka deklaruar se tashmë ka përfunduar e gjithë puna për revidimin e listës së barnave esenciale.

Ai ka thënë se lista komplementare do të pasurohet me një numër më të madh të barnave për sëmundjet e rralla që përbëjnë një barrë të madhe financiare për pacientët.

“Komiteti teknik për revidimin e listës së barnave esenciale ka përfshirë në listën e saj komplementare edhe barnat për sëmundjet e rralla në mënyrë që në të ardhmen numri i pacientëve që mbulohen me terapi nga MSh-ja të rritet”, ka thënë Ismaili.

Lista e barnave esenciale të cilën e sigurojnë institucionet publike për qytetarët ka qenë e pareviduar nga viti 2012.

Ministria e Shëndetësisë në vitin 2018 ka ngritur Grupin e punës për hartimin e Koncept Dokumentit për Sëmundjet e rralla, duke synuar gjetjen e rrugës më të mirë dhe më pragmatike për të adresuar nevojat e këtij grupi të ndjeshëm të popullatës.

Koncept-dokumenti është hartuar dhe ka dalë në debat publik dhe brenda pak ditësh do të dërgohet në Qeveri për miratim.

Pas aprovimit të koncept-dokumentit nga Qeveria, Ministria e Shëndetësisë do të vazhdojë menjëherë me Grupin e punës për hartimin e Planit të veprimit për institucionalizimin e përkujdesjes shëndetësore të pacientëve me sëmundje të rralla.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në kuadër të reformave fiskale për përmirësimin e kushteve të…