Ministri Lluka nënshkruan marrëveshje me Kanaden për rritjen e investimeve

06 mars 2018 | 16:32

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, së bashku me homologun e tij kanadez James Carr, kanë nënshkruar të martën marrëveshjen për promovimin e investimeve kanadeze në Kosovë.

Kjo është marrëveshje tejet e rëndësishme për ekonominë kosovare ngase hap perspektivë për investime të kompanive kanadeze në Kosovë.

Ministri Lluka në fjalën e tij gjatë nënshkrimit potencoj përkushtimin e tij dhe të Qeverisë së Kosovës për të krijuar kushte të favorshme për investitorë në veçanti për kompanitë kanadeze.

“Nënshkrimi i kësaj marrëveshje është lajm i mrekullueshëm për ne, kompanitë kanadeze kanë mundësi të jashtëzakonshme të investojnë në Kosove, kjo marrëveshje qartësisht shpreh përkushtimin tonë për të ofruar siguri për investitorët e mbi të gjitha mundësi punësimi dhe rritje ekonomike për vendin. Me këtë marrëveshje Kosova do të jetë nyje e investimeve kanadeze në rajon”, ka thënë ministri Lluka, pas nënshkrimit të marrëveshjes.

Ndërsa, për ministrin Carr kjo marrëveshje është e një rëndësie të veçante ngase do t’i mundësojë kompanive kanadeze të investojnë në Kosovë si treg i ri në mes të Evropës.

“Kosova ka shtrirje të mrekullueshme gjeografike dhe fuqi të re punëtore, me nënshkrimin e kësaj marrëveshje ne po ju krijojmë kushte kompanive kanadeze të investojnë në Kosovë e po ashtu kompanive kosovare të eksportojnë produktet e tyre në tregun kanadez”, ka thënë Carr.

Ndryshe, kjo marrëveshje është nënshkruar në dhjetë vjetorin e lidhjes së marrëdhënieve diplomatike në mes dy vendeve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, beson së çështja e demarkacionit…