Ministri Mehaj viziton nënën e dëshmorit Taulant Nura

07 nëntor 2022 | 19:58

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka vizituar nënën Minire Nura, nënën e dëshmorit të UÇK-së, Taulant Nura.

Ministri ka vizituar nënën e dhunuar nga infermieret në qendrën e të moshuarve në Pejë, ditë më parë.

“Nënat e ushtarëve të UÇK-së, nënat tona janë më meritoret për lirinë e vendit. Janë ato që na edukuan, na rritën e gdhendën brenda nesh dashurinë për atdheun dhe kombin tonë. Ne ndjehemi borxhli ndaj shumë kujt, por borxhin më të madh ua kemi atyre”, ka shkruar ndër tjera në llogarinë e vet në “Facebook”.

Njoftimi i plotë i ministrit Meha:

Sonte ishim në Gjakovë, vizitë tek nëna Minire, e cila i dha kombit shqiptar djalin e saj, dëshmorin e lirisë, Taulant Nura.

Nënat e ushtarëve të UÇK-së, nënat tona janë më meritoret për lirinë e vendit. Janë ato që na edukuan, na rritën e gdhendën brenda nesh dashurinë për atdheun dhe kombin tonë. Ne ndjehemi borxhli ndaj shumë kujt, por borxhin më të madh ua kemi atyre.

Ne nuk guxojmë t’ia lejojmë vetes e as pasardhëve tanë që t’i harrojmë ato, të harrojmë sakrificën dhe qëndresën e tyre, e aq më pak nuk guxojmë as të mendojmë të mos t’i respektojmë. Kjo nuk na falet, këtë nuk guxojmë ta falim.

Kujdesi i familjes nuk ka munguar asnjëherë për nënën Minire.

Djali i saj, Taulanti iu bashkua UÇK-së qysh në moshën 17 vjeçare, ai nuk dallohej vetëm për nga mosha, por edhe për nga guximi i cili buronte thellë nga shpirti i tij. Dëshmi për këtë na ka mbetur edhe videoja e tij, kur pyetet se: A ke frikë?, e ai përgjigjet: Jo more çfarë frike…

Nëna Minire, ia fali djalin e saj atdheut i cili ra dëshmor, por fitoi zemrat e gjithë shqiptarëve, gjithashtu djemtë e ushtrisë sonë janë të gjithë si të ishin djemtë e saj, të gjithë ne do t’i gjendemi pranë sa herë që ka nevojë.

Dëshmorët tanë nuk do t’i harrojmë asnjëherë, rrugës së tyre do të ecim gjithmonë.

Lavdi!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fotografi, Driton Bublaku është zgjedhur fitues i garës ndërkombëtare të…