Ministri Peci thotë se do të ketë mbështetje financiare vetëm për bujqit realë

06 korrik 2022 | 16:52

Për të përfituar subvencione nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, aplikuesit, krahas kontrollit administrativ, inspektohen edhe në terren nga inspektorët e Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë.

Ekipit të inspektimit në terren sot i është bashkëngjitur edhe ministri Faton Peci për ta parë nga afër procesin e monitorimit dhe të kontrollit, si dhe për t’u siguruar se mbështetja financiare po shkon në vendin e duhur.

“Në komunën e Obiliqit vizitova bujkun Berat Mehmeti, kultivues i grurit. Pashë se dokumentacioni i dorëzuar gjatë aplikimit për Pagesa Direkte 2022 korrespondonte me gjendjen në terren. Me këtë rast, ky bujk më tregoi se është optimist sa i përket rendimentit. Pret të korrë rreth gjashtë tonë grurë për hektarë”, tregoi ministri Peci.

Duke i uruar punë të mbarë e bereqet në korrjet e sivjetshme, ministri e siguroi se mbështetja institucionale nuk do t’i mungojë asnjë bujku përderisa çdo bujk është korrekt dhe respekton ligjin.

Ndryshe, në kuadër të Programit të Pagesave Direkte/Subvencioneve për vitin 2022 numri i aplikimeve në të gjitha kulturat dhe aktivitetet bujqësore e blegtorale që mbështeten përmes këtij programi arrin në 50 836 aplikime, me gjithsej 28 834 aplikues.

Ndërkaq, inspektimet në terren realizohen bazuar në Udhëzimin Administrativ nr. 02/2022 për Pagesa Direkte.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Si pjesë e luftës së Facebook kundër keqinformimit, ne bashkëpunojmë…