Ministria e Bujqësisë: Programi i Pagesave Direkte 2024, vazhdimësi e rritjes së përkrahjes

13 mars 2024 | 12:04

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka hapur periudhën e aplikimit për pagesa direkte/subvencione për 28 nënsektorë dhe kultura bujqësore.

Për sektorët, të cilët do të mbështeten përmes Programit për Pagesa Direkte 2024, afati për aplikim ka filluar të mërkurën dhe përfundon më 12 prill 2024, në orën 16:00.

Në kuadër të këtij Programi, MBPZhR-ja ka vazhduar me rritjen e përkrahjes, ku mbështetja për kulturën e grurit këtë vit varion nga 464 në 564 euro për hektarë. Ndërsa, për kulturën lavërtare të misrit, përkrahja do të jetë 329 euro /ha, për elbin, thekrën dhe tërshërën 304 euro/ha. Ndërkaq, një hektarë luledielli do të subvencionohet me 454 euro.

Përmes PD 2024, do të ketë rritje për vreshtarët në 1104 euro për çdo hektarë, ndërsa pemishtet ekzistuese do të subvencionohen me 504 euro/ha. Rritje të përkrahjes ka edhe për sasinë e dorëzuar/shitur të frutave të mjedrës në 0.20 euro/kg. Risi tjetër në këtë program është rritja e përkrahjes për kulturat perimtare në fushë të hapur dhe prioritizimi i atyre që është rritur kërkesa dhe të cilat kanë shënuar rritje në eksport, ku përfshihen speci – Varieteti Kurtovka dhe somborka, domatja, trangujt, qepa, patatja dhe hudhra, ku për këto kultura pagesat direkte nga 500 euro/ha do të jenë 654 euro/ha, ndërsa për fasulen monokulturë pagesat direkte nga 500 euro/ha në 754 euro/ha.

Këtë vit po vazhdon përkrahja edhe për perimet e tjera në fushë të hapur me 554 euro/ha, ndërsa perimet në serra do të subvencionohen me 904 euro/ha. Bimët mjekësore dhe aromatike, si dhe bimët mjaltëdhënëse do të subvencionohen me 504 euro për hektarë, si dhe do të ketë rritje të përkrahjes për sipërfaqet që janë të certifikuara në 304 euro/ ha për Bujqësi Organike. Subvencionimi për lopë qumështore do të jetë nga 90 euro për krerë, ndërsa ka rritje të përkrahjes për kafshët e imta nga 25 euro në 30 euro për krerë, konkretisht për dhitë.

Dyfishim i përkrahjes për kafshët e mëdha nga 90 euro në 180 euro për krerë, konkretisht për buallica.
Dosat në riprodhim do të subvencionohen 25 euro/krerë, si dhe vazhdon subvencionimi për zogjtë për majmëri apo broilerët me 0.20 euro për zog.

Ndryshe, fermerët/aplikuesit, që përfitojnë subvencionin për sipërfaqet e tokës bujqësore të mbjellë/kultivuar, njëkohësisht do të përfitojnë edhe nga subvencionimi i pjesshëm i çmimit të naftës për litër, në vlerë prej 0.36 euro/litër, për sasinë e naftës prej 150 l/ha, e cila është e nevojshme për kultivimin e 1 ha të tokës bujqësore, dhe është vlerë shtesë mbi subvencionimin bazë për të gjitha sipërfaqet e tokës bujqësore që pranohen për subvencionim dhe që janë të parapara për t’u subvencionuar në këtë program.

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka njoftuar se të gjithën të interesuarit, aplikimin për mbështetje në kuadër të PD 2024 mund ta bëjnë në Zyrat e Drejtorive Komunale për Bujqësi, ndërkaq në rastet kur fermerët aplikojnë për disa kultura apo aktivitete bujqësore, plotësohet dhe dorëzohet vetëm një aplikacion.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Atletico Madrid do të kërkojë përmbysje përballë Interit në Madrid…