Ministria e Sportit, Ministria e Mbrojtjes dhe Federata e Xhudos nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi

29 mars 2023 | 14:27

Ministria e Sportit, Ministria e Mbrojtjes dhe Federata e Xhudos së Kosovës kanë nënshkruar të mërkurën memorandum bashkëpunimi, i cili do të nisë së zbatuari këtë vit. Të pranishëm në nënshkrimin e këtij memorandumi ishin ministrat Hajrulla Çeku, Armend Mehaj dhe kryetari i FXHK-së, Agron Kuka.

Ministri Mehaj ka bërë të ditur se po i jepet jetë konceptit të integrimit të arteve marciale në programet e përhershme trajnuese dhe arsimore në Forcën e Sigurisë së Kosovës. “Po i japim jetë konceptit të integrimit të arteve marciale në programet e përhershme trajnuese dhe arsimore në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Ky koncept që është në linjë me programin ‘Kosova, shtet i xhudos’ do të filloj së zbatuari gjatë këtij viti si pjesë e trajnimeve formale të nivelit bazik, ndërsa ka për qëllim ngritjen e kapaciteteve profesionale të FSK-së, ashtu që në kuadër të investimit në arsimimin dhe trajnimin e ushtarëve në fushën operacionale, përmes angazhimit të xhudistëve tashmë të mirënjohur ndërkombëtarisht, të aftësojmë ushtarakët tanë edhe në aplikimin e arteve marciale, si metodë për vetëmbrojtje, neutralizim të kundërshtarit, por dhe nxitje të shpirtit garues ndërmjet ushtarëve, pasi programi është ambicioz, me synimin që Forca e Sigurisë së Kosovës të marr pjesë në garat botërore multidisiplinare të Këshillit Ndërkombëtar të Sporteve Ushtarake”, ka thënë Mehaj. “Përmes këtij programi përveç investimit në përgatitjen e oficerëve dhe ushtarëve, ne po vlerësojmë edhe profesionalizmin e xhudistëve tanë duke i angazhuar në institucionet tona të sigurisë”, ka shtuar Mehaj.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka vazhduar vizitën…