Ministrja Hoxha kërkon punë më intensive për procesin e integrimit

20 shkurt 12:53

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka marrë pjesë në Konferencën “Momenti i ri për zgjerimin në BE: Çfarë mund të përfitojë Kosova?”, ku morën pjesë përfaqësues të Zyrës së Bashkimit Evropian, ambasadorë e ekspertë të integrimit evropian.

Në fjalën e rastit, ministrja ka theksuar perspektivën e padiskutueshme evropiane për Kosovën, duke ndërtuar institucionet, shtetin demokratik dhe me ekonomi të qëndrueshme.

“Sfida e parë ka qenë krijimi i institucioneve kurse sfida e vazhdueshme është reformimi dhe fuqizimi i tyre. Shpallja e pavarësisë ka sjellë një dinamikë të re dhe sigurisht sfida të tjera”, ka thënë ministrja Hoxha, duke vënë theksin te Marrëveshja e Stabilizim Asociimit me BE-në.

Ministrja e sheh si mjaft pozitive dhe moment kthese për të ardhmen e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe në veçanti Kosovës Strategjinë e Zgjerimit të BE-së.

“Reformat që kërkohen nga Kosova janë substanciale dhe prekin sektorët më të rëndësishëm. Konsideroj se një nga përfitimet është fakti se BE bëri të qartë se në cilat fusha duhet fokusuar dhe cilat sektorë duhet reformuar e fuqizuar”, është shprehur Hoxha.

Në këtë drejtim, ka theksuar ministrja, Kosova duhet të fokusohet në fuqizimin e sundimit të ligjit, sigurinë dhe migracionin, zhvillimin social dhe ekonomik si dhe marrëdhëniet me shtetet fqinje.

Ministrja Hoxha ka pohuar se të gjitha fushat në të cilat Strategjia e Komisionit Evropian kërkon fokus dhe përparim, janë të domosdoshme për Kosovën.

“Të gjitha detyrat që ne duhet t’i kryejmë, janë të përcaktuara në MSA dhe Agjendën Evropiane për Reforma dhe Programin për Reforma ekonomike. Ne vetëm duhet t’i zbatojmë këto dhe sa më shpejtë që këtë e bëjmë, aq më shpejtë ecim përpara drejt anëtarësimit në BE”, ka deklaruar ministrja Hoxha, duke vënë në dukje se vetëm kështu i shërbejmë qytetarëve tanë dhe vetëm kështu do të bëhemi pjesë e BE-së, aty ku e kemi vendin.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Evropa ka parë rritje masive të rasteve të fruthit në…