Ministrja Hoxha kërkon përkrahje për liberalizimin e vizave

14 maj 2018 | 18:28

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka takuar të hënën në Vjenë sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë Federale për Çështjet evropiane, Integrim dhe Punët e Jashtme të Austrisë, Michael Linhart, me të cilin ka diskutuar rreth të arriturave dhe sfidave të integrimit.

Ministrja ka kërkuar mbështetje për procesin integrues, pasi në korrik, Austria synon të marrë kryesimin e Presidencës dhe mund të bëjë më shumë për Kosovën, por gjithashtu edhe për procesin e liberalizimit të vizave.

Hoxha ka thënë se Austria është mbështetëse e fuqishme e Kosovës në proceset që ka kaluar, duke shprehur dhe mirëpritur, përkrahjen për Kosovën në procesin integrues.

“Presim edhe më tej të mbështetni procesin integrues të Kosovës dhe Ballkanit perëndimor brenda Bashkimit Evropian, tashmë Kosova trajtohet e barabartë me të gjitha vendet tjera të Ballkanit. Kosova pret që ky trajtim të bëhet edhe më konkret edhe me lëvizjen e lirë që qytetarët tanë duhet ta gëzojnë së shpejti”, ka thënë ministrja Hoxha, duke theksuar se liberalizimi i vizave është prioritet i shpejtë ndërsa procesi integrues synimi ynë përfundimtar.

Ndërsa, sekretari i përgjithshëm Michael Linhart ka theksuar se Kosova si pjesë e Ballkanit perëndimor, është brenda procesit integrues dhe planeve për zgjerim të Bashkimit Evropian, duke kërkuar që Kosova të avancojë në procesin e reformave sipas Agjendës Evropiane, reformat ekonomike si dhe fuqizimin e sundimit të ligjit.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA),…