Mirë se vjen në Shqipërinë Nënë, Presidenti i SHBA-ve, Georg W. Bush

31 maj 2020 | 15:57

Ismet Sylejmani

Klubi politik “Afrim Zhitia” e vlerëson ngjarje historike për Shqipërinë dhe popullin shqiptar, vizitën e presidentit të SHBA-ve, z. Georg W. Bush.

Prandaj, me këtë rast, për opinion lëshon:

LETËR MIRËSEARDHJE

I dashuri dhe shumë i nderuari president i SHBA-ve, z. Georg W. Bush!

Të nderuar zyrtarë të lartë të delegacionit të SHBA-ve që e shoqëroni presidentin z. Georg W. Bush.

Populli shqiptar në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Kosovën Lindore, në Mal të Zi, në Çamëri dhe gjetkë, e përjeton me emocione vizitën Tuaj, shumë i respektuar president i SHBA-ve, z. Georg W. Bush.

Të vdekurit dhe të gjallët e popullit shqiptar, me rastin e ardhjes Tuaj në Shqipërinë Nënë, janë rreshtuar përpara jush i nderuari president i SHBA-ve, z. Georg W. Bush.

Në momentin e shkeljes së këmbës Tuaj në tokën e Shqipërisë, rreshti i qindra dhe mijëra nënave dhe baballarëve, motrave dhe vëllezërve, do të jetë nderi dhe respekti më i madh i mundshëm që mund t’ju bëhet Juve shumë i nderuari president i SHBA-ve, z. Georg W. Bush.

Mirëseardhje presidenti i SHBA-ve, z. Georg W. Bush, në Atdheun e shqipeve ju urojnë qindra dhe mijëra burra të mëdhenj të kombit tonë që nuk jetojnë më, ndër të cilët me këtë rast do t’i veçonim:

Mirëseardhje të uron heroi dhe kryetrimi i Arbrit, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, mbrojtësi i papërkulur dhe i lavdishëm i Atdheut tonë të dashur e të shtrenjtë, dhe kalorësi e mbrojtësi i krishterimit;

Mirëseardhje në Shqipëri i nderuari president i SHBA-ve, z. Georg W. Bush, të urojnë bijtë e mëdhenj të kombit, udhëheqësit e lavdishëm Abdyl Frashëri dhe Sylejman Vokshi, njëri politikan dhe tjetri ushtarak popullor, që drejtuan me diplomaci dhe patriotizëm Lidhjen e famshme të Prizrenit;

Mirëseardhje në Shqipëri i dashuri president i SHBA-ve, z. Georg W. Bush, të urojnë simboli i Pavarësisë së Shqipërisë, Ismail Qemajli dhe patriotët që i qëndruan pranë këtij burri të madh të kombit, patrioti kosovar Isa Boletini dhe Luigj Gurakuqi;

Mirëseardhje në Shqipëri të urojnë i nderuari president i SHBA-ve, z. Georg W. Bush, bijtë e mëdhenj të kombit që me pushkë e barot mbrojtën nderin dhe krenarinë e truallit arbëror, Hasan Prishtina e Bajram Curri, Azem Bejta e Shotë Galica;

Mirëseardhje në Shqipëri i nderuari president i SHBA-ve, z. Georg W. Bush, të urojnë edhe qindra dhe mijëra partizanë, dëshmorë, të gjallë e të vdekur të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, por mirëseardhje të uron edhe komandanti i tyre, udhëheqësi i lavdishëm i popullit shqiptar, i madhi dhe i pavdekshmi Enver Hoxha, i cili po të ishte gjallë, me siguri se do t’u ishte shumë mirënjohës për ndihmën e madhe që ia keni dhënë popullit të tij, por edhe për faktin që aviacioni i shtetit Tuaj të fuqishëm, ka bombarduar armikun shekullor të kombit shqiptar dhe caqet e tij ushtarake, që terrorizonin popullin shqiptar të pambrojtur dhe duarthatë të Kosovës.

Mirëseardhje në Shqipëri i respektuari president i SHBA-ve, z. Georg W. Bush, ju dëshirojnë pararendësit dhe strategët e çlirimit definitiv të Kosovës, të pavdekshmit, bijtë e mëdhenj të kombit, Jusuf Gërvalla e Kadri Zeka, Rexhep Mala e Nuhi Berisha, Afrim Zhitia e Fadil Vata.

Mirëseardhje në Shqipërinë Nënë, shumë i nderuari president i SHBA-ve, z. Georg W. Bush, të urojnë luftëtarët heronjtë, dëshmorë e të gjallë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por mirëseardhje të uron edhe komandanti legjendar i UÇK-së, gjeneral armate Adem Jashari bashkë me bashkëluftëtarët e tij, Zahir Pajazitin e Edmond Hoxhën, Fehmi e Xhevë Lladrovci, Luan e Shkëlzen Haradinajm, Ilaz Kodrën e Abedin Rexhën, Bekim Berishën e Bedri Shalën, Agim Bajrami e Agim Ramadani, Ismet Jashari – Kumanova e Fadil Nimani etj.

Mirëseardhje në Shqipërinë Nënë, i nderuari president i SHBA-ve, z. Georg W. Bush, të urojnë qindra dhe mijëra nëna e baballarë, motra e vëllezër, djem e vajza dhe gra e burra të dëshmorëve të luftërave çlirimtare të zhvilluara nga populli shqiptar në Kosovë, Maqedoni dhe Kosovën Lindore;

Shumë i respektuar president i SHBA-ve, z. Georg W. Bush, vizitën Tuaj në Shqipëri, Klubi Politik “Afrim Zhitia” mendon se populli shqiptar jo vetëm i Shqipërisë, duhet ta shfrytëzojë për t’u mobilizuar dhe për të ecur me hapa gjigandë drejt integrimit në organizmat euroatlantik.

Klubi Politik “Afrim Zhitia” vizitën Tuaj i nderuar president i SHBA-ve në Shqipëri, e sheh si fillimin e fundit të stabilizimit përfundimtar të marrëdhënieve SHBA- Shqipëri.

Klubi Politik “Afrim Zhitia” vizitën Tuaj në Shqipëri, z. Georg W. Bush, president i SHBA-ve, e sheh si mbështetjen përfundimtare për ta bërë publike Pavarësinë e Kosovës, për të cilën populli shqiptar ka derdhur shumë gjak dhe ka vuajtur shumë.

Klubi Politik “Afrim Zhitia” shpreson se presidenti i SHBA-ve vizitën e ardhshme pas kësaj në Shqipëri, ta bëjë në Kosovën e Pavarur.

Klubi Politik “Afrim Zhitia” ju garanton se populli shqiptar në përgjithësi dhe Kosova e populli i saj në veçanti, kurrë nuk do ta harrojnë ndihmën e madhe që na e ka dhënë Amerika.

Klubi Politik “Afrim Zhitia”, i nderuari president i SHBA-ve, z. Georg W. Bush, të uron vizitë të këndshme në Shqipëri.

Pritja madhështore që do të bëhet shprehje e sinqeritetit dhe dashurisë së pakufishme që ndjen kombi shqiptar për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Klubi Politik “Afrim Zhitia”,
Prishtinë, 07.6.2007

K l u b i P o l i t i k “A f r i m Z h i t i a” – P o l i t i c a l C l u b “A f r i m Z h i t i a”

Sqarim: per Klubin Politik, letra ështe shkruar nga Ismet Sylejmani, Kryetar i Klubit Politik “Afrim Zhitia”!

Prishtinë, 31.05.2020

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Së paku 20 persona janë vrarë në Burkina Faso kur…