MKRS-ja do të përkrah ngritjen e cilësisë në futboll

19 shkurt 2020 | 16:38

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka pritur në kabinetin e saj drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës, me në krye kryetarin e kësaj federate, Agim Ademi.

Gjatë këtij takimi u diskutua për zhvillimet në futbollin e Kosovës si dhe për vazhdimin e bashkëpunimit mes MKRS-së dhe FFK-së.

Ministrja Dumoshi tha se është e interesuar që të zhvillojë sportin me anë të projekteve të natyrave të ndryshme, të cilat kanë një rëndësi të veçantë për avancimin e mëtejmë të futbollit të Kosovës.

“Ju keni arritur të bëni më të mirën për Kosovën, sidomos në futboll, falë punës suaj të palodhshme dhe punës së të ndjerit Fadil Vokrri, duke filluar nga pranimi në UEFA e deri te lojërat e fundit të Kombëtares së Kosovës në futboll, me të cilat na bënë krenarë djemtë tanë” u shpreh ajo.

Gjatë këtij takimi u diskutua edhe për mbështetjen e MKRS-së për infrastrukturën sportive, ku në këtë rast ministrja u shpreh se është “e interesuar që ta zhvillojë sportin edhe nëpër shkollat e ndryshme të vendit, në kuadër të masivizimit të tij, sepse rinia i duhet vendit tonë, ata duhet të qëndrojë në Kosovë dhe t’i shërbejnë asaj, prandaj jam e fokusuar që ta zhvillojë sa më shumë infrastrukturën sportive.”

Tutje, ajo shtoi se ”ndërtimi i terreneve sportive është lajmi më i mirë për sportin edhe për Kosovën. Bashkë me kryetarët e komunave dhe me ju do të shohim se në ç’fazë janë projektet e kësaj natyre dhe bashkërisht do të jemi të gatshëm të mobilizohemi dhe do t’i realizojmë të gjitha ato, nëpër të gjitha komunat e Kosovës.”

Ndërkaq, kryetari i FFK-së, Agim Ademi, e falënderoi ministren Dumoshi për pritjen dhe gatishmërinë e saj për të bashkëpunuar dhe ndihmuar futbollin në Kosovë.

Ademi u shpreh se angazhimi i përbashkët për realizimin e plotë të projekteve infrastrukturore sportive i shërben dhe është në kontribut të avancimit të futbollit kosovar dhe ngritjes së cilësisë së tij.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës ka bërë me dije se janë duke…