MKRS-ja duhet ta subvencionojë më shumë veprimtarinë botuese

30 shtator 2022 | 20:44

Berat Armagedoni

Një ditë e veçantë ishte sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Kontributin e qindra autorëve shqiptarë, të përkthyesve të dhjetëra autorëve ndërkombëtarë dhe dhjetëra botuesve të Kosovës, Ministria e Kulturës e shpërndau në 32 biblioteka komunale. I shpërndau mijëra ekzemplarë të 394 titujve të librave dhe të 19 revistave letrare të cilat i kishte blerë dhe subvencionuar për botim dy vjet më parë. Erdhën pranë Bibliotekës Kombëtare dhjetëra vetura, dhjetëra drejtorë bibliotekash dhe ngarkuan në bagazhet e veturave dhe në ulëset e tyre nga 1 000 ekzemplarë të librave. Erdhën gëzueshëm në Prishtinë, u nisën të kënaqur në komunat e tyre.

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, tha se MKRS-ja do të vazhdojë të qëndrojë afër botuesve, shkrimtarëve, bibliotekave dhe institucioneve komunale kulturore. Tha se do ta përkrahë edhe më tutje veprimtarinë e tyre. Ministria e Kulturës këtë qëllim ka që prej themelimit. Madje duhet t’i përkrahë edhe më shumë sesa që i ka përkrahur ndër vite. Nuk është e ndershme, profesionale, humane që më shumë të përkrahen OJQ-të dhe individët sesa botuesit. Dy-tri OJQ marrin më shumë subvencione sesa të gjithë botuesit e Kosovës. Dhjetë-pesëmbëdhjetë individë marrin më shumë subvencione se të gjithë botuesit e Kosovës. MKRS-ja duhet ta përkrahë botimin e librit, autorët dhe botuesit, më shumë se cilindo sektor tjetër. Çdo vit, vetëm për botim të librave, të revistave dhe për blerje të tyre, duhet të japë subvencionim një milion euro. Trefishin e jep Ministria e Kulturës e Maqedonisë. Trembëdhjetëfishin e jep Ministria e Kulturës e Sllovenisë. S’po shtegtojmë më tutje.

Nder dhe respekt për anëtarët e Këshillit të Librit, për Departamentin e Kulturës të kësaj ministrie, drejtoreshën Jehona Shyti, zyrtaren Liri Cami dhe të palodhshmen Valbona Jashari.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Administrata Tatimore e Kosovës njofton se edhe dje ka vazhduar…