Mogherini: Çështja e vizave për Kosovën po shqyrtohet

17 dhjetor 2018 | 18:15

Shefja e Politikës së Jashtme e BE-së, Federica Mogherini, ka bërë me dije se vendimi mbi propozimin e Komisionit për liberalizim të vizave për Kosovën është duke u shqyrtuar në Këshill dhe në Parlamentin Evropian.

“Sa i përket liberalizmit të vizave, Komisioni Evropian miratoi një raport korrikun e vitit 2018 mbi përmbushjen e standardeve të mbetura. Vendimi mbi propozimin e Komisionit aktualisht është duke u shqyrtuar në Këshill dhe në Parlamentin Evropian”, është thënë në komunikatën për medie të Zyrës së Mogherinit pas takimit të tretë për Stabilizim dhe Asociim mes BE-së dhe Kosovës që është mbajtur sot në Bruksel.

Shefja e Politikës së Jashtme e BE-së, Federica Mogherini, ka thënë se në këtë takim se MSA-ja është çështja kyçe e marrëdhënies mes BE-së dhe Kosovës.

Sipas saj, kjo i ofron Kosovës një mundësi për përparim dhe afrim të qëndrueshëm me Bashkimin Evropian, në përputhje me perspektivën evropiane të rajonit dhe krijon mundësi tregtie dhe investimi.

Në takim, sipas komunikatës, janë diskutuar zhvillimet e fundit kyçe në lidhje me përmbushjen e kritereve politike, si dhe gjendjen aktuale në lidhje me kriteret ekonomike, bashkëpunimin financiar dhe zbatimin e MSA-së.

“Bashkimi Evropian nënvizoi rëndësinë e zbatimit të vazhdueshëm dhe efektiv të MSA-së, si dhe obligimet kontraktuale përfshirë zonën e tregtisë dhe të doganës. BE-ja ka shprehur keqardhje të thellë për ngritjen e njëanshme qeveritare të taksës për mallrat nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina si dhe imponimin e barrierave jotarifore dhe insistoi në heqjen e tyre të menjëhershme. Futja në fuqi e këtyre tarifave dëmton interesat ekonomike të Kosovës dhe popullit të saj, duke ulur rrjedhën tregtare dhe dëmton atraktivitetin e Kosovës si vend për investime dhe biznes. Çdo pengesë për tregtinë duhet të zgjidhet brenda forumeve dhe mekanizmave të përshtatshme, me pjesëmarrjen konstruktive të të gjitha palëve të interesuara, në frymën e bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore”, është thënë në komunikatën e zyrës së Mogherinit.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Besim Hasani, ka…