Molliqaj: Bashkimi ynë i sotëm është veç fillimi i fitores së madhe

19 gusht 2019 | 16:52

Deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka thënë se arritja e koalicionit me AAK-në është fillimi i fitores së madhe.

Ai përmes një shkrimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se sot krijuan koalicionin e ndryshimit që fitoren e ka të sigurt në këtë zgjedhje të parakohshme.

“Sot krijuam koalicionin e ndryshimit që fitoren e ka të sigurt. Koalicionin që do të qeveris dhe Kosovën do ta pozicionojë fuqishëm përballë Serbisë, përballë krimit e korrupsionit dhe përballë varfërisë e pabarazisë. Koalicion nëpërmjet të cilit ne do t’i shtyjmë edhe më tej këto politika. Bashkimi ynë i sotëm është veç fillimi i fitores së madhe”, ka shkruar Molliqaj.

Shkrimi i plotë i tij:

Ua kam kërkuar votën para dy viteve për ta ngritur në Kuvend zërin tuaj të pakënaqur e të papërfaqësuar. U kam kërkuar që t’më votoni, nën betimin që do ta luftojmë SHIK-un dhe PDK-në, e do t’i japim fund politikës nënshtruese ndaj Serbisë.

E saherë që më kanë akuzuar gjatë këtyre dy viteve se ndryshova, ju kam kërkuar që të presin e të shohin. Të mos nguten me përfundime të hershme, sepse po: fundi e rikuptimëson fillimin.

Ata që vet u hapën për bashkëpunime me PDK-në, kishin vetëm FJALË kundër PDK-së e Hashim Thaçit. Ne të tjerët, e ndalëm PDK-në dhe planet e Thaçit.

Ata që na shajtën plot mllef, kishin vetëm FJALË kundër Serbisë. Ne të tjerët që sot po bashkohemi, e ndalëm Serbinë. Lista SRPSKA u defaktorizua. Nuk ka Zajednicë. Nuk ka shkëmbim. Ka TAKSË 100%.

Ata FOLËN bukur se si do të dukej Kosova sovrane. Por ne që sot po bashkohemi, e bëmë Ushtrinë e Kosovës – që sa për ta, do të mbetej veç një ëndërr e bukur.

Përderisa ata me inatin e tyre u morën dy vite vetëm me ne dhe ndiqnin lepuj rrugëve të Prishtinës, ne shtynim përpara politika që përmirësojnë direkt jetën e qytetarëve. Shkarkuam Rikallon. Ngritëm pagën minimale. E ndaluam dialogun e Thaçit për territorin e Kosovës. Filluam reformën për pensione.

Për këto ideale u angazhova në politikë, dhe këtyre idealeve do t’iu qëndroj besnik.

Ne besojmë në të njëjtat gjëra që kishim besuar gjithmonë: Kosovën sovrane, me ushtri dhe krenare përballë Serbisë; Kosovën pa PDK-në në pushtet, pa krim e korrupsion, me barazi sociale e zhvillim ekonomik. Ata nuk besojnë më në koncepte. Besojnë vetëm në një njeri. Një njëri që ka mbetur i vetëm, i rrethuar nga komandantë të PDK-së në njërën anë, e enveristë të PDK-së në anën tjetër.

Sot krijuam koalicionin e ndryshimit që fitoren e ka të sigurt. Koalicionin që do të qeveris dhe Kosovën do ta pozicionojë fuqishëm përballë Serbisë, përballë krimit e korrupsionit dhe përballë varfërisë e pabarazisë. Koalicion nëpërmjet të cilit ne do t’i shtyjmë edhe më tej këto politika.

Bashkimi ynë i sotëm është veç fillimi i fitores së madhe

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Biletat për ndeshjen kualifikuese të kampionatit Evropian “Euro 2020” në…