Molliqaj: Kosova asnjëherë nuk ka pasur dialog me të mbyllur dhe jodemokratik

08 nëntor 2022 | 13:53

Partia Socialdemokrate (PSD) ka ngjyrosur në të zezë dritaret e ndërtesës së qeverisë për siç kanë thënë zyrtarët e kësaj partie për të treguar mbylljen e ekzekutivit karshi qytetarëve për zhvillimet e fundit në veri dhe planin franko-gjerman për dialogun.

Pasi kanë përfunduar aksionin simbolik, kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka thënë se dialogu është i mbyllur dhe jodemokratik.

“Ajo çfarë mund të thuhet tash me gojën plot është se qeveria kurrë njëherë, Kosova s’ka pasur më të mbyllur për opinionin publik dhe mediat. Në veçanti dialog më të mbyllur dhe jodemokratik se ky që e ka zhvilluar kjo qeveri, asnjëherë në historinë e saj nuk ka pasur. Prandaj ne në mënyrë simbolike sot i kemi lyer në të zezë xhamat e Qeverisë së Kosovës, për të treguar se qytetarët e Kosovës, mediat e saj janë në një terr informativ”, ka thënë Molliqaj.

Më tutje, ai ka thënë se kryeministri Albin Kurti po e përdorë planin franko-gjerman si mekanizëm për të maskuar veprimet që po bëhen në veri.

“Ka pasur më shumë se 1 vit e gjysmë negociata dhe si rezultat i tyre ka ardhur te një draft franko-gjerman, të cilin asnjëherë publiku nuk u njoftua për përmbajtjen e tij, as nga qeveria dhe as nga ndërmjetësuesit. Ky plan tani po përdoret si mekanizëm për t’i maskuar veprimet që po i bën në veri dhe anasjelltas, po e përdorin veriun për të shpalosur planin. Pra, siç e keni pa, kryeministri zgjodhi veç dje me tregu që nuk e ka refuzuar planin. Jemi shumë të shqetësuar se kjo qeveri është e mbyllur. Sa herë që qeveritë janë të mbyllura kanë çka me fsheh. Ashiqare plani gjermano-francez nuk është plani që kryeministri Kurti ka propaganduar që do të bie. Ju e dini që thoshte se nuk do të kishte asnjë kompromis dhe asnjë marrëveshje që nuk e ka në qendër njohjen nuk do të pranohet. Tani dje tregoi se ka pranuar planin me kritikat e tij që s’ka njohje fare”, ka thënë Molliqaj.

Më tutje, Molliqaj ka thënë se dorëheqjet nga institucionet të serbëve lokalë në veri janë shqetësuese. Sipas tij qytetarët atje në njërën anë po instrumentalizohen nga presidenti serb Vuçiq, në anën tjetër nga kryeministri Kurti.

“Ajo çka po ndodh në veri është shqetësuese për ne sepse kemi instrumentalizim të dyfishtë të qytetarëve të Kosovës, njërën anë nga Vuçiqi dhe anën tjetër nga kryeministri i Republikës së Kosovës. Ne besojmë se asnjë zgjidhje që është zgjidhje e përkohshme dhe parciale nuk është zgjidhje e duhur dhe nuk duhet të pranohet”, ka thënë Molliqaj.

Përkundër prezencës së madhe të Policisë së Kosovës, anëtarët e PSD-së që kanë ngjyrosur me ngjyrë të zezë dritaret e ndërtesës së qeverisë nuk janë arrestuar, për dallim nga herët e kaluara ku shpesh herë arrestoheshin.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Andreas Ndoji zgjedh përfundimisht Greqinë, duke refuzuar zyrtarisht Kombëtaren shqiptare.…