Mos fol shumë

17 gusht 2022 | 08:47

Nga: Aziz Nesin

Përktheu: Mërkur Alimerko

 

Ka lindur në vitin 1915. Në shtëpi nuk e linin të qante. E ëma e kërcënonte me gisht: Pusho!

Nuk mund as të qeshte e as të thërriste. I ati e urdhëronte: Qetësi!

Po të kishte mysafirë e porositnin: Rri urtë e mos bëj zhurmë.

Kur e ëma mbetej vetëm në shtëpi, i thoshte: Mjaft, lërna ca të qetë!

Ky avaz vazhdoi gjersa u bë shtatë vjeç.

*

Pastaj filloi të shkonte në shkollë. Mjaftonte sa të hapte gojën në mësim dhe mësuesi i bërtiste: Lëri fjalët!

Kur e ngrinin në dërrasë të zezë e porositnin: Fol vetëm për ato që të pyesin. Mos fol shumë. Ky avaz vazhdoi gjersa u bë dymbëdhjetë vjeç.

*

Pastaj kaloi në shkollë të mesme. Sa hapte gojën ja prisnin:

– Ty s’të pyeti njeri.

Drejtori i shkollës një herë i kujtoi fjalën e urtë: Fjala është argjend, heshtja flori.

Mësuesi i turqishtes i tha: Dy herë dëgjo dhe një herë përgjigju. Njeriu ka dy veshë dhe një gojë.

Qetësi!

Pusho!

Mos fol shumë!

Ky avaz vazhdoi gjersa u bë pesëmbëdhjetë vjeç.

*

Pastaj kaloi në lice. Gjëja e parë që dëgjoi ishte: Më mirë mbylle se të llapësh.

Mos fol shumë!

Mbylle!

Lëri fjalët! Ky avaz vazhdoi gjersa u bë nëntëmbëdhjetë vjeç.

*

Pastaj hyri në universitet. Në shtëpi gjithmonë e porositnin: Kur flasin të mëdhenjtë, të vegjlit duhet të dëgjojnë.

E ëma e mësonte: Fjalën të madhit, ujët të voglit.

Njëherë profesori i tha: Kyçe dhe mos e hap! Kështu vazhdoi gjersa u bë njëzet e tri vjeç.

Pastaj e morën ushtar. Komandanti e urdhëroi:

Pusho, qen bir qeni!

Rreshteri: Lëri muhabetet!

Kapiteni: Mos fol!

*

E thirrën në polici. Polici i bërtiti: Ty s’të pyet njeri!

Komisari i tha: Shët!

Pastaj hyri në punë. Shokët vinin gishtin në buzë dhe i thoshin: Shët!

Më mirë hesht! Qeder vetes do t’i bësh. Hap sytë!

Drejtuesit në punë e paralajmëronin: Mos i fut hundët në punët e tjetrit!

S’të takon ty!

S’është për ty! Ti mos u përziej!

*

Si u martua e shoqja i thoshte: Të lutem, ti mos u përgjigj!

Pastaj u bë me fëmijë. Fëmijët u rritën. I thoshin: Rri më mirë mënjanë! Baba, kjo punë s’është për ty.

*

Ky njeri pjesërisht jam unë, pjesërisht ju, pjesërisht jemi ne të gjithë.

Thonë se në kohët e para gratë hidhnin në ushqim gjembaç, në mënyrë që burrave t’u merrej gjuha. Zë reni sikur edhe neve na kanë dhënë gjembaç. Pa shikoni, kini gjuhë? Neve na është lidhur gjuha! Ne kemi gojë, por gjuhë jo.

*

Tani ky njeri, që pjesërisht më ngjan mua e pjesërisht juve, kërkon liri fjale. Ai do të flasë. Por, e urdhërojnë:

Pusho!

Dëshiroj t’i them:

– Fol! Fol! Fol, de! Po përse? Si? Ku e keni gjuhën?

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga: Nevin Chellappah Është padyshim vlera kryesore në demokracitë liberale…