Në Bibliotekën Kombëtare u përurua libri i dr. Mehmet Prishtinës
Sot në amfiteatrin e madh të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” u përurua libri “Lëvizja revolucionaro-kombëtare shqiptare dhe maqedonase në rrjetet e diplomacisë sovjetike (1922-1928)” i autorit dr. Mehmet Prishtina.
Vepra paraqet një studim të gjerë historik, mbështetur në burime dokumentare dhe hulumtime arkivore, duke trajtuar veprimtarinë e lëvizjeve kombëtare shqiptare dhe maqedonase në raport me zhvillimet politike dhe diplomatike të kohës si dhe ndërveprimi i tyre me rrjetet e diplomacisë sovjetike gjatë periudhës 1922-1928.
Në fjalët e tyre, studiuesit vlerësuan rëndësinë e këtij botimi për historiografinë shqiptare, duke theksuar se libri sjell perspektiva të reja kërkimore mbi një periudhë komplekse të historisë së Ballkanit dhe ndihmon në ndriçimin e proceseve politike, diplomatike dhe kombëtare që kanë ndikuar në zhvillimet e mëvonshme historike.
Autori Mehmet Prishtina theksoi se studimi është rezultat i një pune shumëvjeçare kërkimore dhe synon të kontribuojë në pasurimin e literaturës shkencore mbi lëvizjet kombëtare dhe marrëdhëniet ndërkombëtare në fillimshekullin XX.
Promovimi u ndoq nga studiues, historianë, personalitete të jetës akademike dhe kulturore, deputetë, studentë dhe dashamirës të librit, të cilët shprehën interesim të veçantë për temat që trajton ky libër.




